Abdixhiku uron Kurban Bajramin: Forca e shoqërisë matet me humanizëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Në mesazhin e tij, Abdixhiku shprehu urimet më të mira për paqe, shëndet, harmoni dhe begati në familjet e tyre, duke kërkuar bekimin e Krijuesit për mbarësi, qetësi shpirtërore dhe mirësi në çdo vatër.

Abdixhiku theksoi se Kurban Bajrami rikujton vlerat më të bukura njerëzore si sakrifica, solidariteti, afërsia me njëri-tjetrin dhe kujdesi për ata që kanë më shumë nevojë. Ai e cilësoi këtë ditë si një moment reflektimi, mirësie dhe bashkimi, duke nënvizuar se forca e vërtetë e një shoqërie matet me humanizmin, respektin dhe dashurinë e ndarë mes njerëzve, si dhe me besimin e falënderimin ndaj Krijuesit.

Më tej, ai i ftoi besimtarët që në këtë festë të jenë më pranë familjes, miqve e fqinjëve, si dhe atyre që kërkojnë një fjalë të mirë, mbështetje apo shpresë.