Ardian Gjini rrëfen çastin e rëndë kur njoftoi prindërit e Elton Zherkës dhe Përmet Vulës për humbjen e jetës së djemve të tyre

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ardian Gjini, ka bërë një rrëfim tejet prekës mbi periudhën e luftës, duke ndarë me publikun rastin e vështirë të humbjes së jetës së Përmet Vulës dhe Elton Zherkës, dy heronjve të Kosovës.

Në një intervistë ndryshe, ai ka folur rrallë për atë kohë, duke treguar gjithashtu se ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ishte ai që mbante lart moralin e ushtarëve, madje edhe pas rënies së vëllait të tij, heroit të kombit, Luan Haradinaj.

Gjini foli për humbjen e jetës së Përmet Vulës dhe Elton Zherkës, dy heronj që shqiptarët i kujtojnë edhe përmes këngës “Yjet e Gjakovës”, duke theksuar se momenti i rënies së tyre ka qenë ndër më të rëndët dhe që ai nuk do t’i harrojë kurrë.

“Një moment i rëndë ka qenë kur më duhej t’u jepja lajmin prindërve se djemtë e tyre ishin vrarë. Kurrë nuk e harroj çastin kur u takova me prindërit e Elton Zherkës dhe Përmet Vulës; isha i treti dhe u detyruam t’u jepnim lajmin se ishin vrarë dy ushtarë të jashtëzakonshëm, dy djem të mrekullueshëm, miq të ngushtë të vëllait tim, të cilët i kisha njohur që fëmijë. Kishte pasur momente të jashtëzakonshme,” ka thënë Ardian Gjini në një intervistë për T7.