Maturantët e UBT International Smart Schools, gjenerata 2026, kanë festuar diplomimin e tyre në një ceremoni madhështore të mbajtur në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Kjo ngjarje shënoi përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm akademik dhe kurorëzimin e viteve të angazhimit, përkushtimit dhe sukseseve të nxënësve.
Ceremonia mblodhi së bashku nxënës, prindër, mësimdhënës, përfaqësues institucionalë dhe mysafirë të shumtë, të cilët ndanë gëzimin për arritjet e gjeneratës së tretë të UBT International Smart Schools.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i përgëzoi maturantët për suksesin e tyre, duke i inkurajuar që diplomimin ta shohin si fillimin e një rrugëtimi të ri drejt objektivave të ardhshme.
“Sot nuk po merrni vetëm një diplomë në dorë, por po kurorëzoni një rrugëtim që ju ka ndihmuar të zbuloni potencialin tuaj dhe të ndërtoni themelet e së ardhmes suaj të ndritur,” theksoi Hajrizi.
Ai shtoi se UBT International Smart Schools janë themeluar mbi vizionin e një arsimi modern, i cili u përgjigjet kërkesave të shekullit XXI, duke ndërthurur shkencën, teknologjinë, inovacionin, kreativitetin dhe përvojën praktike. Hajrizi veçoi si arritje të veçantë akreditimin nga Cambridge International Education, duke e quajtur atë një konfirmim të cilësisë së arsimit sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
“Ky akreditim vërteton të gjitha nivelet e edukimit sipas standardeve më të mira botërore dhe e rendit UBT-në ndër institucionet arsimore më të avancuara, duke u dhënë nxënësve tanë mundësinë që, përveç maturës shtetërore të Kosovës, të marrin edhe maturën britanike,” shpjegoi ai.
Rektori theksoi gjithashtu se koncepti i “Smart City” dhe “Smart School” ka krijuar një ekosistem modern të dijes, i njohur tashmë ndërkombëtarisht si model i së ardhmes në arsim. “Shkolla Smart për Smart Generation ka krijuar një ekosistem modern të dijes, i cili sot njihet si një prej modeleve më të mira në botë, duke ndërthurur teknologjinë, inteligjencën artificiale, kërkimin shkencor dhe përgatitjen praktike të të rinjve,” deklaroi Hajrizi.
Ai shtoi se, pavarësisht se institucioni është relativisht i ri, rezultatet e arritura janë të dukshme. Sipas tij, UBT International Smart Schools ka shënuar suksese të rëndësishme edhe në projekte evropiane dhe ndërkombëtare, duke u vlerësuar si shkolla më e mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të “Regional Challenge Fund”, sipas kritereve evropiane.
“Njëri prej projekteve tona më të suksesshme është Regional Challenge Fund, ku gjimnazi ynë është zgjedhur si më i miri në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky vlerësim dëshmon se po ndërtojmë një model arsimor që jo vetëm i përgjigjet standardeve evropiane, por edhe i tejkalon ato në shumë aspekte,” tha Hajrizi.
Në vazhdim, zëvendësdrejtoresha e UBT International Smart Schools, Shqipë Agushi, përgëzoi maturantët për përkushtimin dhe sukseset e tyre, duke vlerësuar punën e palodhshme të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve gjatë gjithë procesit arsimor.
“Shkolla nuk ju ka dhënë vetëm dije. Këtu keni krijuar miqësi, keni mësuar të besoni në veten tuaj, të ngriheni pas vështirësive dhe të ecni përpara me guxim,” theksoi Agushi.
Ajo theksoi se çdo sukses i maturantëve është rezultat i punës së tyre të palodhshme, por edhe i mbështetjes së familjeve, profesorëve dhe të gjithë atyre që kanë besuar në potencialin e tyre.
“Mos harroni kurrë se e ardhmja ndërtohet me ëndrra, por realizohet me punë, përkushtim dhe integritet. Ecni përpara me besim, ruani vlerat njerëzore dhe mos kini frikë të synoni lart,” u shpreh Agushi.
Gjatë ceremonisë, maturantëve iu ndanë diplomat, certifikatat dhe mirënjohjet në shenjë suksesi dhe përkushtimi të treguar gjatë viteve të shkollimit në UBT International Smart Schools.
Ngjarja kulminoi me hedhjen lart të kapelave, në një atmosferë festive të mbushur me emocione, urime dhe krenari për arritjet e gjeneratës 2026, e cila tashmë nis një kapitull të ri në rrugëtimin e saj akademik dhe profesional.
