Presidentja në Detyrë dhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi dje një vizitë në Tetovë, Maqedoninë e Veriut. E shoqëruar nga Artan Abrashi, kryetar i Qendrës së Lëvizjes në Prizren dhe kandidat për deputet, Haxhiu u prit nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dhe deputeti Bekim Qoku. Gjatë kësaj vizite, Haxhiu theksoi se Kosova do të jetë gjithmonë pranë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Vizita nisi me një takim me kryetarin Bilall Kasami, ku u diskutuan zhvillimet politike, sfidat dhe sukseset e arritura në qeverisjen lokale. Gjatë takimit u theksua se puna në aksin rrugor Shkup–Bllacë pritet të nisë së shpejti, ndërsa janë duke u ndërtuar dy shkolla të reja, dy pishina dhe një stadium. Haxhiu përgëzoi kryetarin Kasami dhe ekipin e tij për punën dhe përkushtimin në shërbim të qytetarëve.
Pas takimit, Haxhiu dhe kryetari Kasami morën pjesë në një tubim masiv të mbajtur në Sheshin Ilirida, ku qindra qytetarë ishin mbledhur për të dëgjuar mesazhe në lidhje me zgjedhjet e 7 qershorit.
Në fjalën e saj, Haxhiu e përshkroi Tetovën si “qyteti i historisë, dijes dhe qëndresës shqiptare”, duke shtuar se “zë një vend të veçantë në historinë tonë kombëtare”. Ajo theksoi se “Prej kryengritjeve për liri e deri te beteja për arsimin shqip, ky qytet mbetet simbol i sakrificës dhe përkushtimit kombëtar.”
Haxhiu kujtoi kontributin e brezave që mbrojtën gjuhën, arsimin dhe të drejtat e shqiptarëve në këto troje, si dhe solidaritetin e madh që Tetova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë treguar ndaj Kosovës në periudhat më të vështira.
Presidentja në Detyrë ripërsëriti përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ajo theksoi se tashmë ka rezultate konkrete nga projektet e përbashkëta, duke përmendur vënien në funksion të sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare, përparimin e projekteve infrastrukturore si rruga Prizren–Tetovë dhe aksi Bllacë–Shkup, si dhe zhvillimin e interkonektorit energjetik 400 kV Tetovë–Prizren. Këto projekte, shtoi ajo, afrojnë më shumë qytetarët e të dy vendeve.
Haxhiu kërkoi forcimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Tetovës. “Ashtu siç Tetova dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë qenë gjithmonë pranë Kosovës, edhe Kosova do të jetë gjithmonë pranë tyre,” theksoi ajo. Ajo shtoi se “Bashkëpunimi dhe investimi në projekte të përbashkëta mbeten garancia më e mirë për zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e shqiptarëve në rajon. Kur shqiptarët bashkëpunojnë, fitojnë qytetarët, zhvillohet ekonomia dhe forcohet e ardhmja jonë.”
Në përmbyllje, Haxhiu u drejtoi një thirrje të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut që posedojnë të drejtën e votës në Kosovë: “Për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe kanë të drejtë vote në Kosovë, thirrja është e qartë: më 7 qershor, Kosova ka nevojë edhe për zërin tuaj. Ejani, votoni dhe bëhuni pjesë e vendimmarrjes për rrugën përpara.”
