Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka arritur “pikën më të lartë” në procesin e integrimit evropian, duke dhënë sqarime mbi hapjen e fazës përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në rubrikën e tij javore “Shënimet e Javës”, kryeministri theksoi se më 26 maj, vendi shënoi arritjen e pikës më kulmore në rrugëtimin e tij drejt anëtarësimit në BE.

“Kjo është maja ku do të ngjitemi së bashku dhe do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe Gjergj Kastriotit, duke i dhënë kuptim dhe sens të plotë një historie të stërgjatë ëndërrimi për Bashkimin Evropian”, citohet Rama.

Rama e vlerësoi këtë si një moment thelbësor në rrugën drejt anëtarësimit. Sipas tij, ky çast sjell jo vetëm kënaqësi të madhe, por edhe përgjegjësi të rëndësishme. Ai theksoi se bëhet fjalë jo thjesht për një sukses në procesin e negociatave apo një datë të shënuar në kalendarin e integrimit, por për një rezultat të transformimeve rrënjësore që vendi ka ndërmarrë gjatë dekadës së fundit.

Kryeministri nënvizoi se reformat e ndërmarra kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe sfiduese. Ai shtoi se është kuptimplotë fakti që Bashkimi Evropian konfirmon përmbushjen me sukses të të gjitha detyrave të vendosura deri më tani, veçanërisht në fushat e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të institucioneve demokratike.

Rama paralajmëroi se faza përmbyllëse nuk do të jetë e lehtë dhe kërkon një përgjegjësi të madhe për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027. Ai theksoi gjithashtu objektivin madhor të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030, duke përmendur një periudhë kalimtare në vitin 2028.