**Ibrahimi: Komunave po u pamundësohet rishikimi i buxhetit, rrezikohen miliona euro**
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka ngritur alarmin se pamundësia e komunave për të rishikuar buxhetet e tyre po rrezikon miliona euro dhe po pengon realizimin e projekteve thelbësore. Ai ka kritikuar nivelin qendror, veçanërisht Ministrinë e Financave, për këtë situatë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi deklaroi se prej disa vitesh komunave nuk po u lejohet rishikimi i buxhetit, gjë që krijon probleme të vazhdueshme në nivel lokal. “Procesi i rishikimit të buxhetit nuk është lejuar për disa vite as në nivelin qendror e as nëpër komunat tona. Kjo shkakton shumë probleme, pasi komunat nuk e kanë mundësinë ligjore të rishikojnë buxhetin apo linjat buxhetore të destinuara për projekte, subvencione apo mallra dhe shërbime,” theksoi Ibrahimi. Ai shtoi se kryetarët e komunave përgjegjësinë për këtë ia adresojnë nivelit qendror dhe shpreson që rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës, kurdo që të ndodhë këtë vit, t’u mundësohet edhe komunave.
Ibrahimi theksoi se pa mundësinë e rishikimit, shumë projekte mbeten të pazbatuara. Situata komplikohet më tej nga vendimet gjyqësore që u marrin miliona euro komunave, duke lënë boshllëqe në buxhet. Meqenëse buxheti i komunave është aprovuar në shtator të vitit të kaluar, kryetarët e konsiderojnë rishikimin e tij si thelbësor për të adresuar këto mungesa.
Lidhur me ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm, Ibrahimi shpjegoi se shtimi prej 46.5 milionë eurosh në grantin e përgjithshëm do të shkojë kryesisht për paga dhe mëditje, pa ndikuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik lokal. Ai shtoi se ka mungesë barazie në ndarjet buxhetore ndaj komunave nga ministritë e linjës prej vitesh, prandaj AKK ka kërkuar krijimin e një granti të katërt specifik për investime kapitale.
Ibrahimi ngriti edhe çështjen e sistemit të ri të tatimit në pronë, i cili sipas tij nuk është funksionalizuar plotësisht nga Ministria e Financave. Kjo po bën që shumë komuna të mos mund t’i mbledhin të ardhurat e tyre, pasi qytetarët hasin vështirësi në pagesa prej gushtit të vitit të kaluar. Si pasojë, komunat rrezikojnë të humbin miliona euro të hyra vetanake të planifikuara për investime kapitale këtë vit.
Kuvendi i Kosovës miratoi më 20 shkurt ligjin për buxhetin shtetëror prej rreth 4 miliardë eurosh për vitin 2024, pavarësisht kundërshtimeve dhe ankesave të opozitës. Projektligji kaloi në lexim të dytë me 62 vota pro, 36 kundër dhe asnjë abstenim. Kryeministri Albin Kurti, në reagimin e tij pas miratimit, pati theksuar se vërejtjet dhe kritikat e deputetëve do të trajtohen me rastin e rishikimit të buxhetit për këtë vit. Ai bëri të ditur se buxheti i miratuar parashikon 867 milionë euro për komunat, përfshin pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, dyfishimin e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind në 0.50 për qind për 15 vitet e para, si dhe shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, derisa të miratohet ligji i ri, në konsultim me komunat e vendit.
