Në kuadër të aktiviteteve elektorale, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një tubim të madh në Lipjan. Para qytetarëve të shumtë të pranishëm, fjalim ka mbajtur Presidentja e 6-të dhe kandidatja për presidente për mandat të dytë, njëherësh bartëse e listës së LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo e nisi adresimin e saj duke shprehur lumturinë që ndodhet në këtë komunë, të cilën e cilësoi si një nga bastionet më të forta të LDK-së dhe shembull të fitimit të besimit përmes punës, ndërsa vlerësoi lart qeverisjen lokale.

“Dua ta thënë qartë sonte se puna e kryetarit Imri Ahmeti dhe e ekipit të tij ka dëshmuar se kur ekziston vizioni, përkushtimi dhe afërsia me qytetarin, komunat mund të bëhen motorë të zhvillimit dhe të stabilitetit institucional”.

Sipas saj, vendi sot ndodhet përpara një sfide të madhe që prek drejtimin e vetë shtetit, duke kritikuar qasjen e pesë viteve të fundit ku pushteti, siç tha ajo, ngatërron shtetin me partinë dhe harxhon energji në konflikte të përhershme e humbje aleancash.

“Më 7 qershor qytetarët e Kosovës nuk do të vendosin vetëm se kush do ta ketë shumicën parlamentare. Më 7 qershor qytetarët do të vendosin nëse Kosova do të vazhdojë të ndërtohet si shtet i institucioneve të forta apo do të vazhdojë të humbasë energji në kriza të pafundme politike”.

Gjatë fjalimit të saj, bartësja e listës së LDK-së u ndal gjatë te rëndësia jetike e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, duke potencuar se partneriteti me Uashingtonin zyrtar është ekzistencial për vendin dhe nuk mund të trajtohet sipas preferencave politike.

“Kur Kosova është afër Amerikës, Kosova është më e fortë. Kur Kosova është afër NATO-s, Kosova është më e sigurt e me kufij të betonuar. Kur Kosova është afër Bashkimit Evropian, Kosova është më e zhvilluar”.

Osmani shtoi se së bashku me Lumir Abdixhikun dhe 108 kandidatët e tjerë kanë një vizion të qartë për ta kthyer Kosovën në boshtin perëndimor, duke synuar anëtarësimin në NATO, marrjen e statusit të vendit kandidat për BE, fuqizimin e FSK-së dhe mbrojtjen e integritetit territorial pa asnjë kompromis.

“Kjo është arsyeja pse bashkë me Lumir Abdixhikun, e me 108 kandidatë të tjerë të shkëlqyeshëm, kemi hyrë në këtë garë me një vizion të qartë për një Kosovë që rikthehet fuqishëm në qendër të aleancës perëndimore”.

Në pjesën përmbyllëse të fjalës së saj, ajo kërkoi një kthesë institucionale ku politika të mos matet me kriza, por me investime e vende pune që mbajnë rininë në vend, duke shprehur bindjen se ky bashkim i ri shtetëror po nis pikërisht nga Lipjani.

“Kosova ka nevojë për institucione të forta. Kosova ka nevojë për aleanca të forta. Kosova ka nevojë për ekonomi të fortë. Kosova ka nevojë për siguri të fortë. Kosova ka nevojë për unitet të ri shtetëror”.

Ajo ftoi të gjithë qytetarët që më 7 qershor të votojnë për të ardhmen dhe fuqizimin e Republikës së Kosovës.

“Prandaj më 7 qershor le të flasë Lipjani me zërin e tij të fuqishëm. Le të flasë Kosova med zërin e saj të bashkuar. Dhe le të fitojë Republika e Kosovës, shteti ynë i përbashkët. Faleminderit dhe Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, ka përfunduar Osmani.