**Presidentja Pula kërkon mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare**
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar nga Zvicra vazhdimin e mbështetjes për forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për procesin e anëtarësimit të saj në organizatat botërore.
Këtë kërkesë, Presidentja Pula e shprehu gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, njëherësh Kryetar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ignazio Cassis, të cilin e priti në Presidencë.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, gjatë takimit, Presidentja Pula vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes Kosovës dhe Zvicrës, duke falënderuar ministrin Cassis për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran.
Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe shtimin e investimeve zvicerane në Kosovë.
“Presidentja nënvizoi gjithashtu nevojën për vazhdimin e mbështetjes së Zvicrës në fuqizimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Presidentja Pula theksoi rëndësinë e diasporës shqiptare, e cila kontribuon aktivisht në Zvicër dhe përbën një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy shteteve. Ajo shprehu mirënjohje edhe për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999,” thuhet në njoftim.
Nga ana e tij, ministri Cassis rikonfirmoi se Zvicra do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen, duke shprehur mbështetjen e tij edhe për Presidenten Pula.
