**Zvicra mbështet reformat dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian**
**Prishtinë** – “Zvicra mbështet fuqishëm reformat dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.” Kjo ishte deklarata kryesore e ministrit të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, gjatë vizitës së tij në Prishtinë. Cassis theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe mbështeten në një histori të gjatë bashkëpunimi.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis bëri të ditur se kjo ishte vizita e tij e parë në Prishtinë në cilësinë e anëtarit të Qeverisë zvicerane. Ai nënvizoi se Zvicra ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, duke theksuar gjithashtu lidhjet e fuqishme njerëzore të krijuara përmes diasporës së madhe kosovare në Zvicër. Cassis përmendi se rreth 500 mijë persona me prejardhje nga Kosova jetojnë në Zvicër, duke formuar afërsisht 10% të popullsisë totale, çka krijon një lidhje “jashtëzakonisht të fortë njerëzore” mes dy vendeve. Ai shtoi me humor se kjo diasporë përfshin edhe “heronjtë e futbollit” të Zvicrës, duke nënvizuar integrimin dhe kontributin e tyre.
Ministri zviceran rikujtoi gjithashtu vizitën shtetërore të ish-Presidentes Vjosa Osmani në Zvicër, në mars të vitit të kaluar, si një moment kyç në marrëdhëniet dypalëshe. Ai shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm.
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Cassis theksoi praninë e Zvicrës në Kosovë që nga viti 1998, fillimisht me ndihmë humanitare, e cila më pas u shndërrua në një partneritet afatgjatë. Ai njoftoi se programi i ri zviceran i bashkëpunimit për periudhën 2026–2029, me një buxhet prej afro 20 milionë frangash në vit, është në zbatim të plotë. Ky program, i lançuar prillin e kaluar në prani të Kryeministrit Albin Kurti (me të cilin Cassis u takua pak para konferencës), mbështet fuqishëm reformat në Kosovë dhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Cassis theksoi se Kosova ka shënuar përparime të dukshme, gjë që do të mundësojë kalimin e bashkëpunimit në një fazë të re pas vitit 2029, me fokus te zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, investimet, tregtia dhe krijimi i vendeve të punës. Ai përmendi edhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me EFTA-n, e cila hyri në fuqi më 1 tetor të këtij viti. Cassis theksoi rëndësinë e saj, veçanërisht për sektorin e shërbimeve, siç është teknologjia e informacionit dhe komunikimit (ICT), ku shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë veçanërisht intensive.
