Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka theksuar se procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ka të bëjë me drejtësinë, por, sipas tij, me përmbysjen e historisë dhe krijimin e një rrëfimi të rremë për Kosovën. Kështu raporton Ekonomia Online.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Tahiri kërkoi që çështja e ish-krerëve të UÇK-së të shihet si një betejë kombëtare, shtetërore dhe historike, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare të mbrojnë drejtësinë nga çdo lloj ndikimi.
“Gjyqi ndaj tyre nuk ka të bëjë me drejtësinë, por me përmbysjen e historisë. Ai nuk synon zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e një rrëfimi të rremë për Kosovën. Ky është një manipulim politik që po e shndërron rezistencën tonë në faj. Atyre në Hagë mund t’ua humbasin kohën, por jo kontributin apo emrat e tyre. Emrat, historia dhe e vërteta që ata përfaqësojnë janë shumë më të mëdha se ajo gjykatë,” theksoi Tahiri.
Ai shtoi se beteja në Hagë i kapërcen dallimet politike dhe partiake, ndërsa kërkoi që institucionet e Kosovës të adoptojnë një qëndrim të përbashkët.
“Beteja në Hagë i kapërcen partitë, politikat ditore dhe dallimet tona. Ne duhet të jemi së bashku në këtë betejë, sepse ajo është kombëtare, shtetërore dhe historike. Sot, teksa po hyjmë në vitin e shtatë të kësaj pritjeje, nga ky Kuvend duhet të dërgojmë një mesazh të qartë për bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht për BE-në. Kosova ju besoi kur kërkonte shpëtim nga regjimi i Millosheviqit, kur kërkonte liri. Sot pyesim: Ku janë standardet e barabarta? Ku është zëri i Evropës? A është kjo Evropa e vlerave që na është premtuar? Ne nuk ju kërkojmë të mbani anën e askujt, por anën e drejtësisë, të mbroni drejtësinë nga çdo lloj ndikimi,” përfundoi Tahiri.
