Analistët: Fushata zgjedhore, e dominuar nga gjuha agresive, jo programet

Kosova do t’i drejtohet kutisë së votimit për zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve, më 7 qershor.

Fushata është tashmë në zhvillim të plotë, me tubime, takime dhe fjalime, por përmbajtja e saj mbetet e kufizuar. Ajo fokusohet më shumë në akuza dhe në kërkimin e përgjegjësive për të shkuarën, sesa në ide të reja për zgjidhje apo vizione për të ardhmen.

Profesori Kolë Krasniqi vlerëson se fushata aktuale zgjedhore po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ku mungon debati programor, ndërsa hapësira publike dominohet nga sulmet dhe retorika agresive ndërmjet subjekteve politike.

Duke folur në emisionin “Five” në Dukagjini, Krasniqi deklaroi se partitë politike fokusohen më shumë në diskreditimin e kundërshtarëve, sesa në prezantimin e programeve konkrete për qytetarët.

“Nuk vërehet një debat i mirëfilltë programor. E gjithë fushata është e orientuar nga një retorikë tejet agresive, ku kundërshtari jo vetëm demonizohet, por edhe trajtohet si kundërshtar i shtetit dhe fajësohet për çdo problem që ka goditur Kosovën,” deklaroi Krasniqi.

Sipas tij, kjo formë e komunikimit politik ndikon drejtpërdrejt në rritjen e ndasive shoqërore dhe thellon polarizimin politik në vend.

“Kjo ndikon në polarizimin ekstrem të elektoratit, përkatësisht të gjithë popullatës në Kosovë. Dhe kjo dëmton mirëqenien e përgjithshme të popullit të Kosovës,” shtoi ai.

Krasniqi theksoi se partitë politike nuk po i kushtojnë vëmendjen e duhur çështjeve strategjike që kanë ndikim afatgjatë në zhvillimin e shtetit, duke u fokusuar kryesisht në tema sociale me efekt afatshkurtër.

“Partitë politike nuk po orientohen drejt çështjeve thelbësore që ndikojnë në mirëqenien afatgjatë të qytetarit, por të gjitha janë orientuar drejt politikave të ndryshme sociale, kryesisht afatshkurtra, si pagat, subvencionet e ndryshme, etj. Ato nuk po fokusohen tek çështjet si reformat në drejtësi, siguria juridike, integrimi në Bashkimin Evropian dhe zhvillimi industrial i vendit,” ka theksuar Krasniqi.

Ai shtoi se qasja konfrontuese e partive politike reflektohet negativisht edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Kjo politikë konfrontuese ndikon shumë negativisht dhe reflektohet edhe tek partnerët tanë ndërkombëtarë. Në mënyra të ndryshme, pa ndërhyrë drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore, ata kanë bërë thirrje për zbutjen e retorikës agresive dhe shmangien e gjuhës konfrontuese,” tha ai.

Sipas Krasniqit, mënyra e zhvillimit të fushatës krijon përshtypjen e një përballjeje ndërmjet kampeve politike, dhe jo të një gare që bazohet në programe dhe vizione qeverisëse.

“Kjo fushatë zgjedhore praktikisht jep përshtypjen se jemi në prag të një referendumi, ku qytetarët duhet të përcaktohen jo mbi bazën e programeve konkrete, por nëse do t’i bashkohen një partie apo një blloku tjetër qeverisës,” u shpreh Krasniqi.

Në të njëjtin emision, analisti politik Muhamet Bytyqi vlerësoi se fushata aktuale karakterizohet nga dy qasje të dallueshme politike, ku sipas tij pushteti mbështetet në tema që krijojnë polarizim, ndërsa opozita tenton të ofrojë alternativa përmes projekteve konkrete.

Ai deklaroi se zgjedhjet aktuale dallojnë nga proceset e mëparshme për shkak të disa zhvillimeve të reja politike që mund të ndikojnë në orientimin e votuesve.

“Këto zgjedhje kanë disa faktorë të rinj. Vjosa Osmani ka qenë një kontributore e rëndësishme e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në PDK ka pasur ndryshime me përfshirjen e figurave të reja dhe bashkëpunimin me Fatmir Limajn. Gjithashtu, ka ndryshime edhe brenda AAK-së, ku Aleanca nuk identifikohet më vetëm me Ramush Haradinajn, dhe kjo mund të sjellë dinamika të reja,” tha ai.

Sipas Bytyqit, figurat e reja ose të rikthyera në skenën politike mund të ndikojnë në mobilizimin e elektoratit në komuna të caktuara.

“Kjo mund të bëjë që një pjesë e elektoratit të jetë më e mobilizuar lidhur me figurën e Ardian Gjinit, i cili ka një karrierë të pasur si kryetar komune, ish-deputet dhe ish-ministër. Kanë ndodhur disa ndryshime, por është ende herët të flitet për ndikimin e tyre në rezultatin zgjedhor,” u shpreh ai.

Duke komentuar pjesëmarrjen e mundshme në votime, Bytyqi deklaroi se dalja e qytetarëve në zgjedhje mund të jetë më e ulët krahasuar me procesin e zhvilluar në dhjetor, duke përmendur faktorë sezonalë dhe largimin e përkohshëm të qytetarëve.

“Pjesëmarrja mund të jetë më e ulët krahasuar me atë të dhjetorit. Një nga arsyet është se në fundvit ka pushime të zgjatura dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ndodhen jashtë vendit. Megjithatë, mbetet të shihet se si do të ndikojnë këta faktorë në daljen e votuesve në zgjedhje,” përfundoi Bytyqi.

Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë të japin përgjigjen e tyre përmes fletëvotimeve, por për vëzhguesit ndërkombëtarë të zhvillimeve në Kosovë, pritshmëritë shkojnë përtej thjesht pjesëmarrjes në zgjedhje.