Fenerbahçe synon goditje të dyfishtë: Pas Contes, në shënjestër edhe Lewandowski
Fenerbahçe po punon me intensitet të lartë për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit turk kanë vënë në shënjestër dy emra të mëdhenj të futbollit evropian.
Sipas raportimeve nga Italia, klubi i Stambollit nuk po fokusohet vetëm te afrimi i trajnerit Antonio Conte, por po shqyrton seriozisht edhe mundësinë e transferimit të sulmuesit polak, Robert Lewandowski.
Lewandowski pritet të largohet nga Barcelona, dhe situata e sulmuesit ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve, përfshirë Milanin dhe Juventusin në Itali.
Megjithatë, Fenerbahçe duket i vendosur të bëjë një lëvizje ambicioze për të bindur veteranin polak të vazhdojë karrierën në Turqi.
Drejtuesit turq e shohin Lewandowskin si emrin ideal për të rritur nivelin e skuadrës dhe për të forcuar projektin sportiv të klubit. Përvoja e tij në nivelet më të larta të futbollit evropian dhe rekordi i jashtëzakonshëm i golave e bëjnë atë një nga objektivat kryesorë të afatit kalimtar të verës.
Paralelisht, Fenerbahçe vazhdon punën edhe për çështjen e trajnerit. Antonio Conte mbetet një prej kandidatëve kryesorë për pankinën e ekipit, teksa klubi synon të ndërtojë një projekt të aftë për të rivalizuar si në Turqi, ashtu edhe në garat evropiane.
