Uran Ismaili akuzon qeverinë Kurti për keqmenaxhim dhe abuzime pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për deputet, Uran Ismaili, ka adresuar çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, në kuadër të serisë së tij “Me letra çelë”. Ai theksoi se kjo rritje nuk është pasojë e zhvillimeve globale, por rezultat i drejtpërdrejtë i keqmenaxhimit, abuzimit dhe mungesës së transparencës nga qeverisja aktuale.

Ismaili veçoi rastin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ku sipas tij, dyshohet për keqpërdorime në vlerë mbi 37 milionë euro në procedura të prokurimit.

“Ky është problemi kur shtetin e sheh si pronë partie, ligjin si dekor, ndërsa çmimin e lartë të faturës së rrymës e paguan qytetari. Vetëm në këtë rast, 37 milionë euro është vlera e pretenduar e keqpërdorimeve në KEK”, citohet të ketë thënë Ismaili.

Sipas përllogaritjeve të tij, nëse kjo shumë shpërndahet te rreth 300 mijë familje në Kosovë, do të thotë se çdo familjeje i janë marrë rreth 120 euro pa pëlqimin e saj. “Kjo është plaçkitje”, theksoi ai.

“Albin Kurti ka ndërtuar një pushtet që flet për drejtësi, por realisht qeveris me tenderë të kurdisur në WhatsApp”, u shpreh Ismaili. Ai shtoi se çmimet rriten kur mungon transparenca, konkurrenca dhe trajtimi i barabartë, duke bërë thirrje që më 7 qershor t’i jepet fund kësaj qeverisjeje dhe “shteti t’u kthehet qytetarëve”.