Organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së, ka reaguar pasi një rrugë në Mitrovicë të Veriut ka marrë emrin e ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.

Ata e kanë kundërshtuar çdo nismë për të nderuar figura politike serbe me emra rrugësh apo simbole publike kudo në tokën e Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Plagët e luftës mbeten të hapura. Mijëra familje ende vajtojnë të vdekurit dhe kërkojnë të zhdukurit. Asnjë qeveri nuk ka të drejtë ta këmbejë atë dhimbje me gjeste të maskuara si pajtim. Pajtimi i ngritur mbi heshtjen ndaj krimeve nuk është aspak pajtim. Është dorëzim”, thuhet në reagim.

Ata kanë thënë se Kosova ka heronjtë e saj, të cilëve iu takon nderi që mbart kjo tokë.

“Kur vetë institucionet të cilave u është besuar sovraniteti qoftë edhe nëse shqyrtojnë nisma të tilla, ato dështojnë në qeverisje dhe tradhtojnë të gjallët bashkë me të vdekurit”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.