FC Prishtina ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Alban Dragusha.
Ky bashkëpunim ishte jetëshkurtër, pasi Dragusha iu bashkua skuadrës kryeqytetase vetëm pak muaj më parë, duke zëvendësuar Afrim Tovërlanin. Ai kishte ardhur te Prishtina pas largimit nga Ramiz Sadiku.
Mosarritja e objektivave të vendosura dhe eliminimi nga garat evropiane kanë shtyrë drejtuesit e klubit prishtinas të planifikojnë ndryshime të thella gjatë verës. Ristrukturimi ka nisur pikërisht nga stafi teknik.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin zyrtar të “Bardhekaltërve” lidhur me ndarjen me trajnerin Dragusha:
“FC Prishtina njofton se me marrëveshje të dyanshme është ndërprerë bashkëpunimi me trajnerin Alban Dragusha.”
“Dragusha udhëhoqi ekipin tonë në 11 ndeshje gjatë fazës së fundit të kampionatit, duke dhënë kontributin e tij profesional dhe përkushtimin maksimal për klubin.”
“Klubi e falënderon trajnerin Alban Dragusha për punën dhe angazhimin e treguar gjatë kësaj periudhe, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij.”
/Gazeta Express
