Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një tubim elektoral në Vushtrri, ku ka folur për orientimin strategjik të Kosovës, projektet energjetike dhe zhvillimore të vendit, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se Kosova duhet të përcaktojë qartë rrugën e saj strategjike, duke u rreshtuar pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“E keni parë se si ende pyesin pse populli i Kosovës ende e thërret emrin e Ibrahim Rugovës. Si nuk arrijnë ta kuptojnë se ne po e ndjekim një filozofi, një bindje politike, që i ka vënë themelet më të forta, më të qëndrueshme të Republikës së Kosovës. Një filozofi politike që sot na shpërfaqet më së miri me një qëndrim zyrtar të aleatit më të madh të Republikës së Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për një paralajmërim të madh se Kosova duhet të zgjedhë qartë rrugën e vet strategjike përpara: a do të shkojë në krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me kundërshtarët tanë historikë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai theksoi se orientimi i Kosovës është i qartë.

“Populli i Kosovës e ka të qartë: në Amerikë, në Amerikë dhe vetëm në Amerikë!”, ka thënë ai.

Abdixhiku premtoi gjithashtu realizimin e projektit të gazifikimit të Kosovës me gaz amerikan.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do ta implementojë menjëherë, pa asnjë vonesë, projektin e madh të gazifikimit të Kosovës dhe atë me gaz amerikan”, është shprehur ai.

Ai ka përmendur edhe rrjetin e planifikuar të gazsjellësit nëpër disa qytete të vendit.

“Gaz amerikan që do të vijë e kalojë edhe në vertikalen edhe nëpër Vushtrri; pra nis në Han të Elezit, vazhdon në Kaçanik, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri e përfundon në Mitrovicë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Duke kritikuar qeverinë aktuale, ai tha se ajo ka dështuar në realizimin e projekteve madhore infrastrukturore.

“Nuk pritni diçka tjetër përveç kësaj qeverie që po ikën. Janë lodhur”, ka thënë Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK ka plane të qarta zhvillimore dhe investime të mëdha për vendin.

“Kemi 5 miliardë euro investime që do ta bëjnë secilën ditë vendin më të pasur që e ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës”, ka theksuar ai.

Abdixhiku tha se partia e tij ka ekipin dhe programin për realizimin e këtyre projekteve.

“Kemi plan të qartë, kemi projekte të qarta dhe mbi të gjitha e kemi një ekip të shkëlqyeshëm të 110 kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shtuar ai.