**Afërmendsh mbyllet konkursi për Kryeprokuror, KPK komenton padinë e Blerim Isufajt**

Kanë mbetur edhe pak ditë derisa të mbyllet afati i konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Megjithatë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ende nuk ka bërë publik numrin e personave që kanë aplikuar deri tani për këtë pozitë, duke theksuar se këto të dhëna do të shpalosen pas përfundimit të afatit të konkursit dhe verifikimit administrativ.

Njëkohësisht, ky institucion ka komentuar padinë e Blerim Isufajt, i cili u zgjodh për këtë pozitë në vitin 2022, por nuk u dekretua, dhe që ka kontestuar konkursin e ri.

“Lidhur me pyetjen tuaj për numrin e aplikuesve në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit, ju njoftojmë se procesi i pranimit të aplikacioneve është ende në vazhdim dhe afati për aplikim mbetet i hapur deri më 10 qershor 2026. Për këtë arsye, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk publikon të dhëna lidhur me numrin e aplikuesve deri në përfundimin e afatit të konkursit dhe verifikimin administrativ të aplikacioneve të pranuara. Sa i përket padisë së paraqitur nga zoti Blerim Isufaj në gjykatë, Këshilli Prokurorial i Kosovës respekton të drejtën e secilit person për t’iu drejtuar organeve kompetente gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij juridike. Duke pasur parasysh se çështja është në procedurë gjyqësore, KPK nuk komenton rastet që janë objekt shqyrtimi nga gjykatat dhe do të veprojë në përputhje me vendimet e institucioneve kompetente. Konkursi për Kryeprokuror të Shtetit është shpallur në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe procedurat e parapara për këtë proces,” thuhet në deklaratën e KPK-së.

Nga Gjykata Administrative nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë padi. Ndërkaq, avokati i Isufajt, Artan Çerkini, ka deklaruar për “Dukagjinin” se ende nuk kanë pranuar asnjë përgjigje për këtë çështje.

Liridon Salihu, hulumtues pranë Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thekson se Gjykata duhet të marrë një vendim sa më shpejt të jetë e mundur, duke marrë parasysh natyrën e rastit.

“Bazuar në afatet që përmban rregullorja, vlerësojmë se deri në mes ose fund të korrikut, KPK mund të dalë me një kandidat për Kryeprokuror të Shtetit. Por, kjo varet edhe nga procedurat që do të ndjekin këtë proces, pasi, siç dihet, shpallja e këtij konkursi është kontestuar në gjykatë. Pritet ndonjë vendim nga ana e gjykatës dhe, varësisht nga ky vendim, mund të ndryshojë edhe koha kur do të kemi Kryeprokurorin e ri të Shtetit,” ka shpjeguar Salihu.

Ndërkohë, Vullnet Bugaqku thekson se ky proces duhet të përmbyllet me transparencë dhe integritet të plotë.

“Nuk shoh të ketë ndonjë ndërlidhje eksplicite, qoftë në propozimin apo përzgjedhjen e kandidaturave, nën ndikim politik, sepse pres që përbërja e re e KPK-së të mos përsërisë gabimet që i ka bërë përbërja e vjetër dhe pres që të zhvillojë një procedurë tejet transparente dhe meritore,” ka thënë Bugaqku.

Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi të hapë një konkurs të ri për Kryeprokurorin e Shtetit, katër vjet pas atij që përzgjodhi Blerim Isufajn, por që nuk u dekretua nga Presidentja.