Bardhyl Hasanpapaj i është kundërpërgjigjur me pesë pikat e dekretit të ish-presidentes Osmani.
Kandidati me numër 34 i LDK-së shkruan se mbetet prapa analizës së tij paraprake juridike.
“Sqarim në 5 pika lidhur me 5 pikat e z. Veton Surroi:
1. Për fillim dhe qartësi, mbetem plotësisht pas analizës sime juridike dhe saktësisë së saj. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ruan qartë dallimin ndërmjet një akti që nuk prodhon efekt juridik dhe një akti që përbën shkelje të Kushtetutës, dhe pikërisht mbi këtë dallim është ndërtuar argumentimi im. Por edhe po ta lëmë mënjanë këtë dallim juridik për qëllime të debatit publik, argumenti politik i z. Surroi mbetet i paqëndrueshëm.
2. Për muaj të tërë, vetë përfaqësuesit e shumicës qeverisëse e kanë trajtuar publikisht 6 marsin si afatin e fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Vetëm kur ai afat po afrohej dhe vullneti real për zgjidhje mungonte, filloi të ndërtohej narrativi se afati mund të shtyhej ose të relativizohej. Kjo nuk ishte pasojë e ndonjë ndryshimi në Kushtetutë, por e një ndryshimi në interpretimin politik të saj.
3. Pikërisht kjo situatë krijoi pasiguri kushtetuese dhe politike. Nuk u artikulua asnjë alternativë tjetër bindëse, institucionalisht e qëndrueshme dhe kushtetutshmërisht më e sigurt për adresimin e situatës së krijuar se veprimi i Presidentes Osmani. Në këto rrethana, mosveprimi nuk paraqitej si zgjidhje më e përgjegjshme sesa veprimi. Mbetem thellësisht i bindur në këtë dhe ne gjykimin e krijuar mbi realitetin e rrethanave relevante faktike.
4. Dekreti i Presidentes nuk e mbylli debatin kushtetues. Përkundrazi, e solli atë para autoritetit përfundimtar kushtetues që ka kompetencën për ta zgjidhur përfundimisht. Ai ofroi një rrugë konkrete institucionale për daljen nga paqartësia dhe për marrjen e një përgjigjeje definitive nga Gjykata Kushtetuese.
5. Përfundimisht, qartësia kushtetuese që sot ekziston nuk erdhi pavarësisht dekretit, por përmes procesit kushtetues që dekreti e vuri në lëvizje. Për këtë arsye, dekreti mbetet akti që mundësoi zgjidhjen përfundimtare të dilemës kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e bën atë jo vetëm të mbrojtshëm juridikisht, por edhe të arsyeshëm politikisht dhe të përgjegjshëm institucionalisht”, shkruan Hasanpapaj në reagim./Indeksonline/
