Gjashtë shqiptarë të kërkuar ndërkombëtarisht, ekstradohen sot nga Dubai drejt Shqipërisë

Gjashtë shtetas shqiptarë, të arrestuar në Dubai, do të ekstradohen sot drejt Shqipërisë. Ky ekstradim vjen si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Policia e Shtetit bëri me dije se personat e ekstraduar ishin në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale. Akuzat përfshijnë trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe krime kompjuterike, të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.

Në mesin e tyre, katër persona – K.Q., 44 vjeç, Sh.K., 44 vjeç, A.P., 38 vjeç dhe D.P., 39 vjeç – akuzohen për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.

Ndërkohë, I.L., 30 vjeç, dyshohet për pastrim pasurie. Gjithashtu, M.C., 34 vjeç, akuzohet për mashtrim kompjuterik. Të gjitha këto vepra pretendohet se janë kryer në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale.