**Oda Amerikane kërkon që gazi amerikan të jetë prioritet strategjik për Kosovën**
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që sigurimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme të gazit, t’i trajtojë si prioritet strategjik kombëtar.
Sipas kësaj ode, përveç përfitimeve ekonomike dhe energjetike, një hap i tillë do të forconte edhe më tej bashkëpunimin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, si partnerin e saj më të rëndësishëm.
“Sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet në masë të madhe në termocentralet e vjetruara me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike mbetet një barrë e konsiderueshme për ekonominë. Remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese, rritja e kërkesës për energji dhe pasiguria në treg, theksojnë nevojën për burime energjie më të larmishme dhe më të qëndrueshme,” thekson Oda Amerikane.
Oda rikujton se projekte të rëndësishme të infrastrukturës së LNG-së dhe ndërlidhjes energjetike po zhvillohen në mbarë Evropën Juglindore. Këto projekte u krijojnë mundësi të reja shteteve për të siguruar qasje në burime të diversifikuara gazi dhe për të forcuar sigurinë energjetike. Ndërsa vendet fqinje po pozicionohen brenda këtyre korridoreve të reja energjetike, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një strukture rajonale që po bëhet gjithnjë e më përcaktuese për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë afatgjatë të furnizimit.
“Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë. Kjo kërkon investime strategjike në infrastrukturë, modernizimin e kornizës ligjore dhe rregullatore për gazin natyror, si dhe një angazhim më të fortë me partnerët strategjikë. Investimi në infrastrukturën që mundëson qasjen në LNG nga SHBA-ja do të kontribuonte edhe në forcimin e bashkëpunimit strategjik të Kosovës, në një kohë kur siguria energjetike dhe siguria gjeopolitike janë gjithnjë e më të ndërlidhura,” shpjegon Oda.
“Përveç forcimit të sigurisë energjetike, qasja në gaz do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, do të ofronte fleksibilitet më të madh për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe do të rriste konkurrueshmërinë e industrive të Kosovës. Kjo është e rëndësishme sidomos tani, kur kërkesat rregullative të Bashkimit Evropian për emetimet e karbonit po bëhen më rigoroze dhe do të ndikojnë tek eksportuesit,” thuhet më tej.
Rrjedhimisht, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Qeverisë që të tregojë vullnet politik duke ndërmarrë hapa konkretë drejt integrimit të Kosovës në rrjetet rajonale të gazit. Mungesa e veprimit rrezikon të zgjasë dobësinë energjetike të vendit dhe të kufizojë potencialin e tij ekonomik, ndërsa veprimi në kohë mund të ndihmojë në sigurimin e një të ardhmeje energjetike më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më të sigurt.
