**Reagime për Provimin e Jurisprudencës, Studentët Shqiptarë të Tetovës Mobilizohen**

Studentët shqiptarë në Tetovë kanë nisur një nismë simbolike, duke vendosur afishe në pika të ndryshme të qytetit. Përmes tyre, ata kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Në pankartat e tyre, mesazhi është i qartë: “Shqip kemi mësuar – provimin shqip do japim”, duke shprehur pakënaqësinë për mosrespektimin e të drejtës së tyre për arsimim në gjuhën amtare. Ata kanë shpërndarë edhe një tjetër mesazh sensibilizues: “Gjuha shqipe thërret – zëri yt është fuqia jonë”, në kuadër të aksionit të tyre për të drejtën e zhvillimit të provimit në gjuhën shqipe. Kjo nismë vjen si reagim ndaj refuzimit për të mbajtur provimin në gjuhën shqipe, gjë që ka nxitur mobilizim të gjerë mes studentëve.

Studentët theksojnë se kërkesa e tyre është plotësisht legjitime dhe lidhet drejtpërdrejt me parimin e barazisë në sistemin arsimor. Për këtë arsye, ata u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë dhe të mundësojnë sa më shpejt zhvillimin e provimit edhe në gjuhën shqipe.

Ky veprim i studentëve në Tetovë zhvillohet në një periudhë kur çështjet e përdorimit të gjuhës shqipe në arsim mbeten një temë e vazhdueshme debati në vend.