Dogana e Kosovës zbulon radarë anti-vjedhje të padeklaruar në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka zbuluar një sasi të konsiderueshme malli të padeklaruar, konkretisht radarë për sisteme kundër vjedhjes, në pikën doganore të Vërmicës. Zbulimi u bë gjatë procedurave të zhdoganimit në Zyrën e Brendshme Doganore.

Sipas njoftimit të Doganës, mallrat ishin paraqitur për zhdoganim nga importuesi. Bazuar në kriteret e analizës së riskut, ngarkesa u përzgjodh për një kontroll të detajuar nga zyrtarët doganorë.

Gjatë verifikimit dhe krahasimit të dokumentacionit me gjendjen faktike të mallit, zyrtarët doganorë konstatuan praninë e një sasie të padeklaruar të radarëve për sisteme kundër vjedhjes. Vlera e përafërt e këtij malli vlerësohet të jetë rreth 2,050 euro, bazuar në të dhëna nga zhdoganime të ngjashme të mëparshme.

Dogana thekson se mosdeklarimi i mallit përbën kundërvajtje doganore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247. Ky veprim synon shmangien ose uljen e detyrimeve të importit të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.