Aksion i madh kundër bixhozit të paligjshëm në Prizren, Suharekë dhe Dragash: Policia arreston 22 persona
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka zhvilluar një aksion të gjerë kundër bixhozit të paligjshëm, duke arrestuar 22 persona të dyshuar. Operacioni u krye mbrëmjen e 4 nëntorit në Prizren, Suharekë dhe Dragash, pas hetimeve të shtrira në kohë.
Gjatë aksionit, të koduar “Bixhozi”, janë kontrolluar 20 lokacione, duke përfshirë lokale afariste dhe shtëpi banimi.
Si rezultat i kontrolleve, u sekuestruan rreth 10 mijë euro para të gatshme, pajisje të ndryshme elektronike dhe katër armë zjarri me municion.
Në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë thuhet se të gjithë të arrestuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit, 19 prej tyre janë ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të tjerë janë liruar dhe do të përballen me procedura të rregullta ligjore.
Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
