**Haradinaj: Proceset qeverisëse në Kosovë kanë ngecur**

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar para fillimit të seancës së Kuvendit se proceset qeverisëse në Kosovë kanë ngecur, duke kërkuar një analizë të thellë të raportit të Bashkimit Evropian.

Duke folur në hollin e Kuvendit të Kosovës, lidhur me Raportin e Progresit, Haradinaj vlerësoi se gjendja e proceseve qeverisëse është shqetësuese, veçanërisht sa i përket integrimit evropian dhe euroatlantik.

“Kjo është diçka që tashmë e dimë. Ne, të cilët jetojmë këtu, e dimë se të gjitha proceset qeverisëse janë në ngecje. Duhet t’u bëhet një analizë e mirëfilltë këtyre ngecjeve dhe proceseve që lidhen me integrimin evropian dhe euroatlantik, pasi gjendja aktuale nuk është e mirë”, theksoi Haradinaj.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026, i publikuar më 4 nëntor, ofron vlerësimin e gjendjes së reformave dhe zhvillimeve politike e institucionale në Kosovë, në kuadër të procesit të integrimit evropian.