Tensionet në Gjirin Persik u përshkallëzuan ndjeshëm, pasi Irani kreu sulme ndaj shteteve fqinje të Gjirit, si përgjigje ndaj goditjeve të SHBA-së ndaj bazave ushtarake iraniane. Zhvillimet e fundit sinjalizojnë një thellim të konfliktit rajonal.

Forcat amerikane raportuan se kishin interceptuar raketa dhe dronë të lëshuar nga Irani drejt Ngushticës së Hormuzit dhe rajonit të Gjirit. Paralelisht, ato goditën objektiva bregdetare në Iran. Nga ana tjetër, sipas mediave iraniane, Teherani kreu të shtëna paralajmëruese, të cilat mund të kenë qenë të lidhura me praninë e anijeve luftarake amerikane në zonë.

Këto ngjarje shkaktuan alarm të menjëhershëm në vendet e Gjirit. Ushtria e Kuvajtit njoftoi të shtunën se po i përgjigjej kërcënimeve nga raketa dhe dronë, ndërsa Bahreini aktivizoi sirenat dhe u kërkoi banorëve të strehoheshin në orët e para të së shtunës.

Më pas, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte goditur “baza armike në rajon,” duke e cilësuar këtë si përgjigje ndaj “agresionit amerikan” ndaj zonave bregdetare të Iranit, përfshirë Sirik dhe Ishullin Qeshm. Sipas IRGC-së, goditjet u kryen me raketa të Forcës Hapësinore të Gardës Revolucionare.

Disa orë më parë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) kishte njoftuar se kishte goditur “radarë bregdetarë vëzhgimi” në Iran, pasi kishte rrëzuar katër dronë sulmues iranianë, të cilët, sipas saj, “paraqisnin një kërcënim të menjëhershëm për trafikun detar rajonal.”

Në një zhvillim të lidhur, një zyrtar i lartë iranian, burimeve ndërkombëtare, deklaroi se një marrëveshje e mundshme paqeje varet nga pranimi i administratës Trump për të liruar 24 miliardë dollarë asete iraniane të ngrira. Ai paralajmëroi se SHBA-ja do të “hynte në një korridor të errët” nëse do të rifillonte luftimet.