Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një gruaje në fshatin Uglar të Graçanicës, e dyshuar për keqtrajtimin e fëmijëve të saj të mitur. Rasti, i cili në raportin 24-orësh të policisë është klasifikuar si “Braktisje e fëmijëve”, ka çuar në ndalimin e saj për 48 orë.

Sipas njoftimit zyrtar, e dyshuara i është nënshtruar testit të alkoolit, ku rezultoi se ishte nën ndikimin e tij.

Fëmijëve të mitur u është ofruar menjëherë ndihmë mjekësore, ndërsa gjatë trajtimit ka qenë i pranishëm edhe një punonjës social.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, gruaja e dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.