BDI-Çair përmbyll Kuvendin Zgjedhor: Ekip i ripërtërirë dhe themelimi i Komitetit të Veteranëve

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Çair ka njoftuar përmes një komunikate për shtyp se pas mbajtjes së Kuvendit të Gjashtë Zgjedhor, ka prodhuar një ekip të ripërtërirë profesionistësh, duke përfshirë 70% kryetarë të rinj nëndegësh. Gjithashtu, për herë të parë u formua Komiteti i Veteranëve.

Këto zgjedhje, sipas partisë, shënojnë një proces ripërtëritjeje dhe konsolidimi të organizatës, duke bashkuar përvojën me energjinë e gjeneratës së re. Rreth 70% e kryetarëve të nëndegëve janë emra të rinj. Struktura e re përfshin një gamë të gjerë profesionistësh, si profesorë universitarë, doktorë shkencash, mjekë, juristë, ekonomistë dhe arkitektë, me qëllim krijimin e një ekipi përfaqësues dhe të përgatitur për sfidat që vijnë.

Kuvendi zgjedhor përzgjodhi gjithashtu Kryesinë e Degës, Këshillin Mbikëqyrës, si dhe drejtuesit e sekretariateve profesionale, të cilat do të shërbejnë si ura lidhëse ndërmjet ekspertizës profesionale dhe veprimit politik në shërbim të qytetarëve.

Komiteti i Veteranëve, i cili u formua për herë të parë, përbëhet nga aktivistë që kanë qenë pjesë e rrugëtimit politik të BDI-së që në themelimin e saj. Kjo iniciativë synon të vlerësojë përvojën, sakrificën dhe kontributin e tyre, duke shërbyer si themel mbi të cilin po ngrihet një gjeneratë e re.

Komunikata thekson edhe fuqizimin e rolit të grave në organet vendimmarrëse, duke e bërë degën më përfaqësuese, më të hapur dhe më afër shoqërisë. BDI-Çair synon që ky ekip i ri, i pasuruar me kontributin e veteranëve dhe përfshirjen e grave, të çojë përpara misionin politik të partisë.