Drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Bekim Brestovci, i intervistuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Hetuesit e Seksionit të Krimeve Ekonomike pranë Policisë së Kosovës kanë intervistuar dje drejtorin e Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovcin. Ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Intervistimin e tij e konfirmoi avokati Artan Qerkini për Gazetën Express, duke bërë të ditur se Brestovci u mor në pyetje në cilësinë e personit të dyshuar.
“Mund të konfirmoj se ai është intervistuar si person i dyshuar. Për shkak të sekretit hetimor dhe faktit që lënda është në hetim, nuk mund të ofroj detaje shtesë. Vepra për të cilën është intervistuar ka të bëjë me pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai ka dhënë dëshmi dhe është përgjigjur në të gjitha pyetjet,” deklaroi Qerkini.
Gazeta ka provuar të kontaktojë drejtorin Brestovci për një qëndrim lidhur me intervistimin dhe dyshimet ndaj tij, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka kthyer përgjigje.
