Seanca gjyqësore për vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës është anuluar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Anulimi u bë për shkak të angazhimit të avokatit Naim Rudari, mbrojtës i të akuzuarit Naim Berisha, në një seancë tjetër gjyqësore.
Në këtë çështje gjyqësore, përveç Naim Berishës, janë të akuzuar edhe Ahmet Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, siç raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja e rastit, Alltën Murseli, theksoi se avokati Rudari ishte i angazhuar në një seancë në Departamentin Special, duke e bërë të pamundur praninë e tij në gjykimin e caktuar.
Gjykimi po vazhdon në mungesë të dy prej të akuzuarve, Naim Berishës dhe Kaltrim Gashit, pasi ata ndodhen ende në arrati.
Sipas aktakuzës, përleshja e armatosur mes palëve u motivua nga hakmarrja, lidhur me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të akuzuarit ngarkohen me veprat penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
