Pesë prokurorë konfirmohen si kandidatë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit
Pesë emra prokurorësh janë konfirmuar si kandidatë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, afati i aplikimeve për të cilin u mbyll të mërkurën, më 10 qershor. Ky post i rëndësishëm, i mbajtur për vite me radhë nga ushtrues detyre, pritet të plotësohet përmes një procesi transparent.
Në rend alfabetik, kandidatët e konfirmuar deri më tani janë:
* **Atdhe Dema** – Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
* **Naim Abazi** – Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
* **Rafet Halimi** – Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
* **Shqipdon Fazliu** – Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
* **Zejnullah Gashi** – Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Atdhe Dema konfirmoi shkurtimisht aplikimin e tij përmes telefonit.
Ndërkohë, prokurori Naim Abazi theksoi rëndësinë e këtij konkursi për plotësimin e postit më të lartë në Sistemin Prokurorial. “Po, unë dje kam aplikuar, pasi ishte afati i fundit. Ky është një post që ka qenë me ushtrues detyre ndër vite dhe me këtë konkurs, plotësohet ndoshta pozicioni më i rëndësishëm në sistemin prokurorial. Besoj se do të jemi pjesë e një gare transparente, meritore, ku do të zgjidhet kandidati që plotëson të gjitha kriteret, siç kërkohet nga Këshilli, Ligji për Këshillin Prokurorial, Prokurorin e Shtetit dhe rregulloret në fuqi,” deklaroi Abazi.
Prokurori Rafet Halimi theksoi se plotësimi i këtij posti me mandat të rregullt është në interes të sistemit të drejtësisë dhe qytetarëve. “Ju konfirmoj aplikimin tim për postin e Kryeprokurorit të Shtetit. Është në interes të sistemit të drejtësisë dhe të qytetarëve që Kryeprokurori i Shtetit të zgjidhet sa më shpejt përmes një procesi të rregullt dhe transparent,” shtoi ai.
Ndërsa prokurori Shqipdon Fazliu nuk iu është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të redaksisë, kandidimi i tij është konfirmuar nga burime brenda sistemit prokurorial.
Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, e konfirmoi kandidimin e tij në këtë garë, duke u shprehur: “Po, është e vërtetë, e konfirmoj kandidimin tim për Kryeprokuror të Shtetit.”
Lista e plotë e të gjithë kandidatëve pritet të bëhet publike ditët në vijim, pasi të përfundojë verifikimi i aplikimeve dhe plotësimi i kritereve nga ana e kandidatëve.
Përveç këtyre emrave të konfirmuar, si kandidatë të mundshëm ishin përmendur edhe zëvendëskryeprokurori i PSRK-së, Valdet Gashi, prokurori special Admir Shala, prokurori i Gjilanit Arben Ismajli dhe prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni. Megjithatë, të gjithë këta e kanë mohuar kandidimin e tyre me shkrim.
Vlen të theksohet se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj të këtij viti. Gjatë asaj mbledhjeje, anëtari Milot Krasniqi kishte kundërshtuar shpalljen e konkursit, duke shprehur kritika për atë që e cilësonte “nxitim” dhe mungesë të pranisë së të gjithë anëtarëve të Këshillit. Ai theksoi se Këshilli nuk duhet t’i nënshtrohet “diktatit të pushteteve të tjera” dhe rikujtoi refuzimin e kandidaturës së Blerim Isufajt nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, pa një vendim të argumentuar.
“Publiku e di që ky proces është bllokuar qëllimisht tash e rreth katër vjet. Pasi u prit kaq gjatë, unë nuk e di thjesht arsyen pse sot ngutemi dhe cila është kjo urgjencë me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Pse të mos presim që të krijohen kushtet ligjore dhe legjitimiteti i plotë për këtë veprim. Pse Këshilli duhet të veprojë kur për këtë proces kanë folur dhe flasin të tjerët – ata që kanë më së paku të drejtë, ata që s’kanë as të drejtë kushtetuese, as ligjore e as njerëzore të përfshihen në këtë proces,” kishte thënë ndër të tjera Krasniqi.
Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar pezullimin e konkursit. Kërkesa e tij u refuzua nga Gjykata, ndërsa çështja ndodhet tani në procedurë ankese në Gjykatën e Apelit.
/BetimipërDrejtësi
