Komuna e Pejës ka dhënë kontratën për furnizimin dhe instalimin e kamerave të sigurisë (CCTV) në shkollat e saj, në kuadër të një projekti që synon rritjen e sigurisë në objektet arsimore.

Sipas njoftimit zyrtar të prokurimit, kontrata i është dhënë kompanisë IMPACT SH.P.K., e cila ka ofertuar me çmimin më të ulët prej 4,731 eurosh. Në garë kanë marrë pjesë gjithsej katër operatorë ekonomikë, shkruan IndeksOnline.

Projekti parashikon furnizimin me pajisje CCTV dhe shërbimet e instalimit për shkollat e Komunës së Pejës, ndërsa kontrata pritet të nënshkruhet më 17 qershor 2026.

Ky investim vjen si pjesë e përpjekjeve të komunës për të forcuar masat e sigurisë në institucionet arsimore dhe për të krijuar një ambient më të sigurt për nxënësit dhe stafin shkollor./IndeksOnline/