A mundet një shtet të kufizojë popullsinë e tij? Përgjigja është po dhe kjo është ajo çfarë pritet të ndodh këtë të diel në Zvicër.
Qytetarët do të votojnë në një referendum kombëtar pas një propozimi të paprecedentë të së djathtës ekstreme në kufizimin e popullsisë së vendit në 10 milionë banorë deri në vitin 2050.
Autoritetet dhe organizatat ekonomike kanë paralajmëruar se miratimi i nismës mund të ketë pasoja serioze për ekonominë dhe marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Evropian. Nëse shumica e votuesve mbështesin propozimin, qeveria zvicerane do të detyrohet të ndërmarrë masa për të mos lejuar që popullsia të kalojë kufirin prej 10 milionë banorësh deri në vitin 2050. Aktualisht popullsia e Zvicres edhe 9.1 milione banore.
Në rast se numri i banorëve arrin në 9.5 milionë përpara vitit 2050 do të vendosen kufizime të forta për bashkimin familjar, lejet e qëndrimit dhe azilin.
Nisma është paraqitur nga partia e djathtë konservatore Partia Popullore Zvicerane, e cila kërkon gjithashtu që Zvicra të tërhiqet nga marrëveshja e lëvizjes së lirë me Bashkimin Evropian nëse popullsia tejkalon kufirin prej 10 milionë banorësh para vitit 2050. Një veprim i tillë do t’i jepte fund aksesit të vendit në tregun e përbashkët evropian.
Sipas mbështetësve të iniciativës “Jo një Zvicre me 10 milionë banorë”, imigracioni i lartë, kryesisht nga vendet e BE-së, po ushtron presion të madh mbi strehimin, shkollat, transportin dhe sistemin social të vendit. Ata argumentojnë se rritja e shpejtë e popullsisë po ndryshon mënyrën tradicionale të jetesës në Zvicër.
Megjithatë, qeveria federale, parlamenti, sindikatat dhe organizatat kryesore të biznesit janë shprehur kundër propozimit. Sipas tyre, kufizimi i popullsisë do të dëmtonte ekonominë, do të rrezikonte stabilitetin e vendit dhe do të cenonte prosperitetin e Zvicrës.
Ekonomistët paralajmërojnë se vendi ka nevojë për emigracion për shkak të rënies së lindshmërisë dhe plakjes së popullsisë. Aktualisht, rreth 27% e banorëve të Zvicrës nuk janë shtetas zviceranë, ndërsa popullsia është rritur me 23% që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së lëvizjes së lirë me BE-në në vitin 2002.
Sondazhet Paraprake tregojnë se 52% e zviceranëve pritet të votojnë kundër propozimit për kufizim te popullsisë. Për t’u miratuar, iniciativa duhet të sigurojë jo vetëm shumicën e votës popullore, por edhe mbështetjen e shumicës së kantoneve zvicerane. Rezultatet finale pritet të publikohen pasditen e te dielës.
