Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet si çështje private, duke bërë thirrje për një angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror kundër këtij fenomeni. Kjo deklaratë u bë në hapje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku Grupi i Grave Deputete organizoi Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, me temë “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”, raporton Ekonomia Online.

Gjatë këtij aktiviteti, Haxhiu theksoi nevojën për më shumë vëmendje mediatike ndaj dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave, duke kritikuar mungesën e pasqyrimit të këtyre çështjeve. Ajo vuri në dukje se mediat shpeshherë reagojnë vetëm kur rastet e dhunës shndërrohen në tragjedi, ndërsa theksoi rëndësinë e një angazhimi të vazhdueshëm për të adresuar këto probleme shoqërore, pavarësisht dallimeve politike.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se një ndër padrejtësitë më të mëdha me të cilat përballen gratë është mungesa e sigurisë në shtëpitë e tyre, të cilat duhet të jenë streha paqeje e mbrojtjeje. “Për vite me radhë, dhuna është fshehur pas arsyetimit se ajo që ndodh brenda familjes është çështje private. Mirëpo, dera e shtëpisë nuk mund të jetë edhe kufiri ku përfundon përgjegjësia e shtetit. Kur një grua përballet me dhunë, siguria dhe të drejtat e saj janë çështje e drejtësisë, por po ashtu janë çështje edhe e përgjegjësisë publike”, deklaroi Haxhiu.

Duke iu referuar rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, Haxhiu kërkoi zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, si dhe analizën e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e saj. Ajo kujtoi kërkesën e fundit të viktimës për t’u kthyer në shtëpi, duke vënë në pah se as vendimi i gjykatës dhe as prania e Policisë nuk arritën t’i garantonin sigurinë. “Është e domosdoshme të përcaktohet ku ka dështuar zinxhiri institucional i mbrojtjes dhe kush mban përgjegjësi për këto dështime”, shtoi Haxhiu.

Më tej, ajo kritikoi pyetjen e shpeshtë “pse nuk iku?” drejtuar grave që përjetojnë dhunë. Haxhiu theksoi se përgjegjësia për largimin nga ambienti i dhunshëm nuk duhet të bie mbi viktimën, pasi legjislacioni në fuqi, përfshirë Konventën e Stambollit dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, parashikon largimin e dhunuesit nga shtëpia si masë mbrojtëse. “Nuk mund të vazhdojmë ta trajtojmë largimin e gruas si zgjidhjen e zakonshme, kur ligji na jep mundësinë ta largojmë atë që ushtron dhunë, pra dhunuesin”, tha ajo.

Në fund, Haxhiu theksoi se siguria e grave nuk kufizohet vetëm brenda hapësirave familjare. Ajo duhet të garantohet në të gjitha mjediset ku gratë jetojnë dhe veprojnë, përfshirë rrugët, transportin, vendet e punës dhe hapësirat publike.