**Zbardhen vrasjet e civilëve në Ukrainë: Urdhëruan të qëllohej kushdo që kalonte**
“Ai erdhi këtu për të vrarë, unë për të hetuar krimet e tij.” Me këto fjalë, hetuesi ukrainas Ivan Dulkay përshkruan përballjen e tij me brutalitetin e luftës. Ai po udhëheq zbardhjen e vrasjeve masive të civilëve në Bucha, ku urdhri ishte i qartë: qëllohet kushdo që kalon. Para pushtimit rus, Dulkay ishte një hetues i ri në policinë e Kievit dhe kurrë nuk e kishte imagjinuar se do të merrej me krime lufte, veçanërisht vetëm pak kilometra larg vendit ku punonte.
Kthesa erdhi në pranverën e vitit 2022, pas tërheqjes së trupave ruse nga Bucha. Bota u trondit nga pamjet e civilëve të vrarë në rrugë, pranë biçikletave dhe automjeteve të tyre. Një situatë e ngjashme u shfaq edhe në qytetin e afërt të Irpinit, ku ushtarët rusë qëlluan mbi familjet që përpiqeshin të largoheshin nga luftimet, duke injoruar edhe shenjat e bardha të vendosura në automjete për të sinjalizuar transportin e civilëve.
Sot, 31-vjeçari Dulkay drejton një ekip që heton mbi 300 vrasje në Bucha. Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, ai shpjegon se puna e tij është identifikimi i personave që kanë qëlluar mbi civilët, si dhe zbulimi i atyre që dhanë urdhrat.
Hetimi nisi me rindërtimin e ngjarjeve gjatë muajit të pushtimit rus. Ekipi ka mbledhur dëshmi nga banorët, pamje nga kamerat e sigurisë, regjistrime dronësh dhe video të filmuara nga automjetet. Këto materiale janë krahasuar me dokumente dhe ekspertiza balistike e gjenetike, për të përcaktuar cilat njësi ushtarake ishin të pranishme në zona të caktuara në momentin e krimeve dhe kush ishte përgjegjës për vrasjet.
Deri më tani, hetuesit kanë identifikuar rreth 2,500 ushtarakë rusë. Për secilin prej tyre është krijuar një dosje ku dokumentohet njësia ku shërbente, zona e dislokimit dhe periudha e qëndrimit në terren. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjithë janë të dyshuar për krime. Deri tani, dyshimet ose akuzat janë formalizuar ndaj rreth 100 personave. Hetimet përfshijnë 88 vrasje dhe rreth 25 raste abuzimi.
Një nga episodet më tragjike është masakra në rrugën Yablunska, ku hetuesit kanë identifikuar një togë zbulimi të Regjimentit të 234-të të parashutistëve rusë. Sipas hetimit, kjo njësi kishte marrë urdhër të qëllonte ndaj kujtdo që kalonte në atë segment rruge, i cili përdorej si korridor evakuimi drejt Irpinit. Mes viktimave ishin dy të moshuar që udhëtonin me biçikleta dhe Iryna Filkina, gruaja e cila u bë e njohur nga pamjet e publikuara pas masakrës, ku dallohej manikyri i saj i kuq. Edhe ajo ishte duke lëvizur me biçikletë kur u vra.
Sipas Dulkay, urdhrin për të qëlluar e kishte dhënë komandanti i togës, i cili kishte lindur në të njëjtën ditë dhe muaj me të, në gusht të vitit 1995. “Në Bucha, në atë rrugë, rrugët tona u kryqëzuan,” rrëfen hetuesi.
Hetimi nuk ndalet vetëm te ushtarët që kanë kryer drejtpërdrejt krimet. Ekipi po përpiqet të ndërtojë zinxhirin e përgjegjësisë, nga komandantët e togave te ata të kompanive, batalioneve dhe regjimenteve. Synimi është identifikimi i dy komandantëve batalionesh dhe i Artem Gorodilov, i cili drejtonte Regjimentin e 234-të dhe ndodhej në terren gjatë ngjarjeve.
Dulkay kujton me dhimbje shumë raste, por veçon një ngjarje të ndodhur në Irpin, ku ushtarët rusë qëlluan mbi një kolonë automjetesh civile që po largohej nga zona e luftimeve. Makinat kishin shenja që tregonin praninë e fëmijëve dhe copa të bardha të lidhura në pasqyra, për të sinjalizuar se bëhej fjalë për civilë. Një burrë dhe gruaja e tij, me dy makina, ishin nisur për të evakuuar sa më shumë njerëz. Ai transportonte fëmijët, ndërsa gruaja transportonte disa fqinj. Automjeti i gruas u godit nga të shtënat dhe ajo humbi jetën në vend. Ushtarët rusë nuk e lejuan bashkëshortin të merrte trupin e saj.
Disa ditë më vonë, burri u kthye në këmbë, duke kaluar përmes urës së shkatërruar, dhe iu kërkoi ushtarëve leje për të marrë trupin e bashkëshortes. Kur ata e pyetën se kush e kishte vrarë, ai iu përgjigj prerë: “Ju e vratë.” Pas kësaj, i dhanë leje ta merrte. Ai e ngarkoi trupin mbi shpatull dhe, për një pjesë të rrugës, u detyrua ta tërhiqte zvarrë, me qëllimin që ta çonte në shtëpi për ta varrosur. Gjatë gjithë rrugës, ai vazhdonte t’i fliste gruas, duke i thënë: “Edhe pak dhe jemi në shtëpi.”
Dulkay emocionohet teksa tregon këtë dëshmi. Ai shpreh shqetësimin se ende ka persona që mohojnë ose minimizojnë atë që ndodhi në Bucha, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare që përgjegjësit të mos mbeten të pandëshkuar. Sipas tij, asnjë nga rreth 100 personat ndaj të cilëve janë formalizuar dyshimet për krime në Bucha nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai thotë se mekanizmi i Interpolit nuk ka funksionuar për këto raste dhe se drejtësia nuk mund të arrihet vetëm përmes punës së hetuesve ukrainas. Për këtë arsye, ai apelon për ndihmën e qeverive dhe qytetarëve të vendeve të tjera, në mënyrë që personat e dyshuar për krime lufte të mos vazhdojnë të jenë të lirë.
