**10-vjeçari norvegjez Tius Luka mahnit botën në ceremoninë hapëse të Botërorit 2026**

Një nga momentet më emocionuese të ceremonisë hapëse të Kupës së Botës 2026 në Los Anxheles ishte performanca e 10-vjeçarit norvegjez, Tius Luka, i cili ndau skenën me yllin botëror të muzikës, Katy Perry.

Tius Luka, zëri i të cilit u bë i njohur falë këngës “Wonder”, ka një histori të veçantë. Ai e regjistroi pjesën e tij vokale në vitin 2021, kur ishte vetëm pesë vjeç.

Më vonë, Katy Perry dëgjoi interpretimin e tij dhe u frymëzua për të ndërtuar këngën rreth atij vokali unik.

Në ceremoninë madhështore të zhvilluar në stadiumin SoFi, para ndeshjes hapëse mes SHBA-së dhe Paraguait, Tius u ngjit në skenë krah këngëtares amerikane dhe interpretoi këngën “Wonder”, duke marrë duartrokitje të mëdha nga të pranishmit. Performanca e tij u konsiderua si një nga momentet më prekëse të mbrëmjes.

Prania e vogëlushit norvegjez tërhoqi vëmendjen e mediave dhe tifozëve, ndërsa pamjet e interpretimit u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale. Shumë e cilësuan atë si një ndër zbulimet më të bukura të ceremonisë hapëse të Botërorit.

Ceremonia në Los Anxheles mblodhi emra të mëdhenj të muzikës botërore si Katy Perry, Lisa, Anitta, Future dhe Tyla, duke i dhënë një nisje spektakolare Kupës së Botës 2026.

Megjithatë, për shumë tifozë, protagonisti i vërtetë i mbrëmjes ishte pikërisht Tius Luka, djaloshi 10-vjeçar që arriti të mahnisë një stadium të tërë dhe miliona shikues anembanë botës.