**Britania ndalon një cisternë të “flotës së fshehtë” ruse në Kanalin Anglez**

Forcat e armatosura britanike ndaluan herët të dielën në Kanalin Anglez një cisternë nafte ruse, të lidhur me të ashtuquajturën “flotë e fshehtë” e Kremlinit.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, konfirmoi ngjarjen, duke theksuar se kjo ndërhyrje e suksesshme “i jep një goditje tjetër Rusisë dhe u kujton atyre që financojnë luftën e Vladimir Putinit në Ukrainë se nuk do t’i lejojmë të fshihen.” Lajmi u raportua nga BBC.

Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se anija cisternë, e emërtuar “Smyrtos”, do të mbahet nën monitorim pranë bregdetit jugor të Anglisë, ndërkohë që vijojnë hetimet.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Dan Jarvis, shtoi se Rusia mbështetet te flota e saj e fshehtë për të financuar luftën në Ukrainë dhe se ndalimi i kësaj cisterne përbën një goditje ndaj përpjekjeve të Kremlinit për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.

Operacioni u mbështet nga avionë të Grupit Ajror Detar, duke përfshirë një avion patrullues Boeing P-8 Poseidon të RAF-it, si dhe anijet luftarake HMS Sutherland dhe HMS Ledbury.

Sipas autoriteteve britanike, Rusia ka krijuar një rrjet prej më shumë se 700 cisternash me pronësi të fshehur, me qëllim shmangien e sanksioneve të vendosura ndaj eksporteve të saj të naftës.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerëson se kjo “flotë e fshehtë” transporton rreth 75 për qind të naftës ruse subjekt i sanksioneve, duke siguruar një burim jetik të ardhurash për Kremlinin.