Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe rrethin e tij se po përgatiten për protesta kundër projektit të gazit amerikan. Haradinaj ka shprehur ashpër kritika, duke vënë në pikëpyetje motivet e Kurtit dhe duke i kujtuar atij vendimet e mëparshme lidhur me Serbinë dhe pavarësinë energjetike të Kosovës.
Në një deklaratë të tijën, Haradinaj ka nxjerrë në pah disa vendime të Kurtit, të cilat sipas tij kanë dëmtuar interesat e Kosovës. Ai ka theksuar se më 21 nëntor 2018, si kryeministër i Qeverisë së atëhershme, vendosi taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë, sipas Haradinajt, u hoq nga Kurti më 1 prill 2020, duke “hapur tregun për mallrat serbe”.
Haradinaj ka vazhduar me krahasimet në sektorin energjetik, duke deklaruar se më 20 dhjetor 2017 nënshkroi projektin me ContourGlobal me synim që “ta bëjë Kosovën të pavarur energjetikisht nga Serbia”. Ky projekt, siç thekson ai, u anulua nga Albin Kurti në vitin 2020, gjë që, sipas Haradinajt, “i hapi derën importit të rrymës nga mafia energjetike e kontrolluar nga Serbia”.
Kreu i AAK-së ka përmendur gjithashtu refuzimin e Kurtit për projektin amerikan të gazit në vitet 2021-2022. Haradinaj ka paralajmëruar për pasojat e këtyre vendimeve, duke theksuar se mediat kanë raportuar për dhjetëra kamionë me mallra serbe që presin të hyjnë në Kosovë, ndërkohë që Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 259 milionë euro vetëm gjatë vitit të kaluar.
Duke iu rikthyer çështjes së gazit amerikan, Haradinaj ka përmbyllur deklaratën e tij me pyetje retorike ndaj Kurtit: “Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton. Çka do ky njeri nga Kosova?”
