Ekipi kombëtar i Anglisë është përballur me një incident të pakëndshëm, pasi pajisje me vlerë rreth 18,000 dollarë (13,500 £) janë vjedhur nga një automjet që transportonte inventarin e skuadrës. Ngjarja ndodhi gjatë zhvendosjes së pajisjeve nga kampi përgatitor në Florida drejt Kansas City, para fillimit të Kupës së Botës.

Dy persona, Mustafa Salik dhe Erfan Kamal, janë vënë nën akuzë në lidhje me grabitjen. Ata përballen me akuza për posedim të pasurisë së vjedhur, një vepër penale e kategorisë D sipas ligjit të Misurit, e cila parashikon dënime nga 1 deri në 7 vjet burgim.

Megjithatë, Federata Angleze e Futbollit (FA) ka siguruar se asnjë prej sendeve të vjedhura nuk do të ndikojë në përgatitjet e skuadrës për ndeshjen hapëse të së mërkurës kundër Kroacisë. Këtë e ka konfirmuar edhe mbrojtësi i Anglisë, Dan Burn, i cili theksoi se incidenti nuk i ka shqetësuar shumë lojtarët dhe nuk ka ndikuar në përgatitjet e tyre.

Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara nga BBC Sport, mes sendeve të vjedhura ishin katër palë këpucë futbolli, një top, një palë doreza portieri, pajisje stërvitore, si dhe tre fanella të nënshkruara, vlera e të cilave arrinte në rreth 15,000 dollarë. Raportohet se pjesa më e madhe e sendeve të vjedhura është rikuperuar tashmë nga autoritetet.

Prokurorja e Qarkut Jackson, Melesa Johnson, theksoi se nuk do të tolerohet asnjë aktivitet kriminal kundrejt vizitorëve të Kupës së Botës dhe autoritetet po veprojnë me shpejtësi për të mbajtur përgjegjës të dyshuarit. Edhe kryebashkiaku i Kansas City, Quinton Lucas, vlerësoi punën e policisë, duke siguruar se çdo shkelje e ligjit do të ndëshkohet menjëherë.