Maroku ka shënuar një rekord historik në futboll, duke u bërë kombëtarja e parë që aktivizoi një formacion të tërë të përbërë nga lojtarë të lindur jashtë vendit, gjatë barazimit 1-1 me Brazilin në Grupin C të Kupës së Botës.

Kampionët e Kupës së Kombeve të Afrikës zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer kundër skuadrës braziliane, ku mesfushori 18-vjeçar Ayyoub Bouaddi ishte ndër lojtarët më të spikatur.

Sulmuesi i PSV-së, Ismael Saibari, i dha epërsinë Marokut në pjesën e parë, duke e kaluar topin mbi portierin brazilian Alisson pas një pasimi të saktë nga Brahim Diaz. Brazili barazoi në minutën e 32-të falë një goditjeje të fuqishme të Vinicius Junior në këndin e djathtë të portës.

Kjo nuk ishte paraqitja që “Seleçao” kishte shpresuar të bënte dhe ky rezultat nënkupton se ata mund të kenë nevojë që Maroku të bëjë gabime në ndeshjet e ardhshme për të fituar grupin e Kupës së Botës, edhe nëse vetë fitojnë dy takimet e mbetura.

Brazili është një nga disa kombëtare në këtë turne që kanë pjesën më të madhe të skuadrës të përbërë nga lojtarë që aktivizohen në kampionate të tjera. Lucas Paqueta i Flamengos ishte i vetmi përjashtim në formacionin startues kundër Marokut.

Nga ana tjetër, Maroku nuk kishte asnjë lojtar në formacionin startues që luante në kampionatin vendas. Tre prej tyre – Issa Diop, Chadi Riad dhe Noussair Mazraoui – luajnë në Premier League, ndërsa ish-mesfushori i Leicesterit, Bilal El Khannouss, tani luan në Bundesliga me Stuttgartin dhe Achraf Hakimi aktivizohet te PSG, kampioni në fuqi i Francës. Dy lojtarët e vetëm në skuadër që luajnë për klube marokene janë portierët rezervë Munir Mohamedi dhe Ahmed Reda Tagnaouti.

Ajo që e bën historike këtë ndeshje është se, përveç 11 lojtarëve startues që luajnë jashtë vendit, Maroku aktivizoi në pjesën e dytë një formacion të tërë me lojtarë të lindur jashtë vendit. Nëntë nga 11 lojtarët kishin lindur në Spanjë, Francë ose Belgjikë, ndërsa mbrojtësi i djathtë i Bayern Munich, Mazraoui, është i lindur në qytetin holandez Leiderdorp. Portieri Bono, ndërkohë, ka lindur në Montreal të Kanadasë. Edhe trajneri Mohamed Ouahbi, i cili po drejtonte ndeshjen e tij të parë zyrtare, është i lindur në Bruksel të Belgjikës.

Mbrojtësi qendror Issa Diop, i lindur në Tuluzë të Francës, kishte përfaqësuar Francën në të gjitha nivelet e moshave deri tek U21, por zgjodhi të ndryshonte kombëtare, duke përfaqësuar Marokun më herët gjatë këtij viti, para Kupës së Botës.

Ky rekord u vendos në minutën e 65-të, pasi anësori i Strasburgut, Samir El Mourabet, zëvendësoi Azzedine Ounahin, i cili ishte i lindur në Marok. El Mourabet, i lindur në Strasburg, është produkt i akademisë së klubit francez dhe, në moshën 20-vjeçare, konsiderohet si një nga talentet më premtuese të kombëtares marokene.

Ky moment historik zgjati 24 minuta, përpara se sulmuesi Soufiane Rahimi, i lindur në Marok, të futej nga stoli në minutat e fundit të ndeshjes së zhvilluar në Nju Jork.