Izraeli: S’do të tërhiqemi nga Libani, Siria e Gaza, pavarësisht marrëveshjes SHBA-Iran

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të hënën se forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga Libani Jugor, Siria apo Gaza, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Ky qëndrim, sipas Katz, i është përcjellë edhe Presidentit amerikan, Donald Trump.

“Izraeli kundërshton çdo tërheqje të forcave të IDF nga Libani, pavarësisht presionit ekzistues dhe atij të pritshëm,” tha Katz në një deklaratë, duke pranuar në heshtje se çështja e Libanit është pjesë e marrëveshjes SHBA-Iran.

Në deklaratat e tij të para publike, që kur Trump njoftoi një marrëveshje me Iranin, Katz shpjegoi se politika e Izraelit është të mbajë një prani ushtarake të pacaktuar në “zonat e sigurisë” në Liban, Siri dhe Gaza, për të mbrojtur kufijtë dhe komunitetet izraelite nga elementët xhihadistë.

Katz shtoi se Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ia kishte komunikuar personalisht këtë qëndrim Trumpit, dhe se ai (Katz) e kishte ripërsëritur atë gjatë një telefonate të dielën me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes.

“Ne nuk do të bëjmë kompromis për interesat supreme të sigurisë së Izraelit apo mbrojtjen e qytetarëve tanë dhe nuk do të tërhiqemi nga zonat e sigurisë,” theksoi Katz. “Nëse Irani sulmon Izraelin për shkak të zhvillimeve në Liban, ne do të godasim me forcë të plotë dhe do të demonstrojmë qartë epërsinë tonë ushtarake.”