Transferimi i ri i Barcelonës, Hamza Abdelkarim, po konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit egjiptian dhe madje si pasardhësi i mundshëm i yllit të madh, Mohamed Salah.

18-vjeçari siguroi më 10 qershor transferimin e përhershëm te Barcelona për 1.5 milion euro, pasi kishte bindur drejtuesit katalanas me paraqitjet e tij në akademinë e klubit.

Trajneri i Kombëtares së Egjiptit, Hossam Hassan, nuk i kurseu elozhet për sulmuesin e ri.

“Tek Hamza kemi parë shumë gjëra që na pëlqejnë personalitetin, cilësitë teknike, ambicien dhe dëshirën për të arritur majat. Sa herë që punon me ne, tregon se është një lojtar shumë i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit egjiptian”, deklaroi Hassan.

Ai theksoi se brezi i ri i futbollistëve do të jetë baza e suksesit të Egjiptit në vitet e ardhshme.

“Lojtarët e rinj janë e ardhmja e kombëtares, e vendit dhe e futbollit egjiptian. Në vitin 2027 do të shihni një ekip të ri plot yje”, shtoi ai.

Deklaratat e Hassan vijnë pak para ndeshjes së parë të Egjiptit në Grupin G të Kupës së Botës, ku do të përballet me kombëtaren e Belgjikës.

Abdelkarim po shihet gjithnjë e më shumë si një nga emrat që mund të udhëheqë futbollin egjiptian në epokën pas Salahut, ndërsa pritshmëritë për zhvillimin e tij te Barcelona janë jashtëzakonisht të larta.