**Pse duhet ta mbajmë folien plastike në frigorifer?**
Shumë prej nesh e ruajnë mbështjellësin plastik (ose folien ushqimore) në sirtar, bashkë me letrën e aluminit, atë të pjekjes dhe qeset e mbeturinave, ndonëse ekziston një mënyrë më e mirë për ta menaxhuar atë.
Nëse shpesh hasni vështirësi gjatë çmbështjelljes së folies plastike, zgjidhja është ta vendosni në frigorifer. Kjo ndodh sepse, ndonëse është projektuar për t’u ngjitur pas pjatave dhe ushqimeve, kjo veti e saj shpesh e bën të vështirë ndarjen e shtresave.
Shumica e folieve plastike prodhohen nga polietileni, një prej llojeve më të përdorura të plastikës në botë. Molekulat polimerike në folie janë vetë ngjitëse, por prodhuesit shtojnë edhe substanca ngjitëse për të rritur aftësinë e saj për t’u kapur pas materialeve të tjera.
Një tjetër faktor që kontribuon në vështirësitë me folien plastike është elektriciteti statik që ajo gjeneron, gjë e cila ofron një arsye shtesë për ta ruajtur në mjedis të ftohtë.
Sipas portalit “The Kitchen”, ajri i ftohtë ul nivelin e elektricitetit statik dhe, për arsye molekulare, mbështjellësi plastik humbet një pjesë të ngjitjes së tij në temperatura më të ulëta.
“Ngjitja midis pjesëve të plastikës mund të nxitet nga molekulat sipërfaqësore që riorganizohen për të krijuar lidhje të dobëta kimike, ndërsa temperatura më e ulët mund ta pengojë pak këtë proces,” shpjegoi profesori i fizikës Chad Orzel.
Është e rëndësishme të theksohet se folia plastike nuk ka pse të mbahet në frigorifer gjatë gjithë kohës. Nëse hasni probleme me ndarjen e saj, mjafton ta vendosni në frigorifer për rreth 15 minuta para përdorimit. Dhe një këshillë e fundit: pasi të keni mbaruar, sigurohuni të lini një skaj të vogël të folies të lirë dhe ngjiteni atë në kutinë e saj, në mënyrë që të mos kërkoni fillin herën tjetër.
