Dy shpërthime të fuqishme janë regjistruar sot në mëngjes, rreth orës 03:15, në rrugën “Brigada 128” në Prizren. Si pasojë e këtyre shpërthimeve, janë dëmtuar një veturë dhe fasada e një shtëpie.
Policia e Kosovës ka konfirmuar incidentin, duke theksuar se prona e dëmtuar u përket dy qytetarëve. Menjëherë pas raportimit, njësitë policore përkatëse kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe për të nisur hetimet.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar nga shpërthimet. Rasti po hetohet nga organet kompetente për të zbardhur rrethanat e plota dhe për të identifikuar autorët.
