**Oda Amerikane Shqetësohet: Qeveria e Kosovës po injoron thirrjet e SHBA-së për gazin natyror**
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham) ka shprehur shqetësimin e saj serioz lidhur me shpërfilljen e vazhdueshme nga Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ndaj thirrjeve të përsëritura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Këto thirrje synojnë mbështetjen e përfshirjes së Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin rajonal të furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).
AmCham thekson se “në një kohë kur Kosova mbetet tepër e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e larta të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përbën jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike.” Ajo shton se “diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës.”
Oda Amerikane e konsideron “veçanërisht shqetësues faktin se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë zotuar të bëhen pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara.” AmCham paralajmëron se “Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore.”
AmCham vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me SHBA-në mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. “Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës rrezikon të ndikojë negativisht në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës,” thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të mosangazhimit në nismat rajonale për LNG-në. Ajo kërkon angazhim konstruktiv me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë.
