Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se shteti i Kosovës mund të jetë caku i radhës nëse Gjykata e Apelit në Hagë konfirmon dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë, Hoxhaj është pyetur nëse rrezikohet pavarësia e Kosovës në rast se, pas ankesës në Apel, konfirmohen dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Hoxhaj ka deklaruar se vendimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk duhet të shihen vetëm si vendime individuale, duke shprehur bindjen se pas kësaj faze, sipas tij, në shënjestër do të jetë vetë shteti i Kosovës.
“Nëse konfirmohet dënimi, jam i sigurt që faza e radhës, caku i radhës, ka me qenë shteti i Kosovës. Nëse dikush mendon që vendimi për Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin nga 25 vjet dhe për Kadri Veselin 18 vjet dhe Rexhep Selimin 13 vjet, janë vendime individuale dhe nuk janë vendime për shtetin e Kosovës dhe nuk është në radhë shteti i Kosovës pas kësaj faze, e ka gabim.”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka deklaruar se, sipas tij, ajo që e cilëson si luftë speciale ndaj Kosovës do të vazhdojë, duke e lidhur këtë proces me hakmarrjen e Serbisë ndaj UÇK-së dhe brezit që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Kjo luftë speciale ndaj Kosovës do të vazhdojë. Është në natyrën e shteteve që të hakmerren. Është hakmarrje e Serbisë ndaj UÇK-së. Është hakmarrje e Serbisë ndaj Hashim Thaçit për shpalljen e pavarësisë. Është hakmarrje ndaj një brezi i cili ka luftu që ky vend të jetë i lirë dhe i pavarur, është hakmarrje ndaj neve si brez…”, ka thënë Hoxhaj në Klan Kosova.
