Shqiptari i dëbuar nga Italia, arrestohet sërish pas rikthimit ilegal

Një shtetas shqiptar i dëbuar më parë nga Italia është arrestuar sërish në këtë vend, pasi tentoi të rihynte ilegalisht. Ngjarja vjen pak muaj pasi atij i ishte ndaluar kthimi në territorin italian.

58-vjeçari u kap në zonën e Trevizos, brenda një furgoni ku udhëtonin edhe 18 pasagjerë të tjerë, të gjithë bashkëkombës të tij. Policia ndaloi automjetin dhe zbuloi praninë e tij.

Ai ishte deportuar më parë nga Italia dhe i ishte ndaluar kthimi në vend deri në vitin 2028.

Shtetasi shqiptar kishte një histori të gjatë kriminale, me dënime të shumta për krime kundër pronës dhe administratës publike. Mes tyre, ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë për rezistencë ndaj zyrtarëve, fyerje ndaj një zyrtari publik, grabitje dhe shkelje prone.

Për shkak të këtyre precedentëve, Prefekti i Milanos kishte lëshuar urdhrin e dëbimit në maj të vitit 2023, me ekzekutim të menjëhershëm dhe shoqërim deri në kufi, sipas burimeve të mediave italiane.

Pas arrestimit në flagrancë, 58-vjeçari u shoqërua sërish në kufi. Policia e Udines i lëshoi atij edhe një ndalim tjetër, duke i mohuar hyrjen në zonën Shengen për pesë vitet e ardhshme.