Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do të angazhohet për bisedime me partitë opozitare për çështjen e zgjedhjes së presidentit, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ajo bëri thirrje për braktisjen e “mentalitetit bllokues”, siç e cilësoi, raporton Ekonomia Online.
Gërvalla vlerësoi se zgjedhjet e fundit ishin të panevojshme dhe theksoi se tani është koha për diskutime serioze rreth konstituimit të institucioneve dhe procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Edhe në të kaluarën jemi përpjekur, si me LDK-në ashtu edhe me të tjerët, ta zgjidhim çështjen e presidentit. Kemi pasur zgjedhje tërësisht të panevojshme, për të cilat dihej që në fillim se nuk do të sillnin ndonjë ndryshim të madh në përbërjen e kuvendit të ardhshëm. Vërtet, është koha të ulemi e të diskutojmë seriozisht dhe të heqim dorë nga mentaliteti bllokues. Qytetari e ka thënë fjalën e vet, për herë të tretë e ka shprehur vullnetin e tij qartë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve tashmë është i qartë. Jemi në pritje të rezultateve zyrtare dhe certifikimit të tyre, dhe dëshiroj të besoj se kjo ishte hera e fundit që shkojmë në zgjedhje të panevojshme, në fakt, jo racionale dhe të pakuptimta për qytetarët,” citohet ajo.
Ajo shtoi se hapat e ardhshëm do të diskutohen fillimisht brenda koalicionit qeverisës, e më pas edhe me partitë opozitare.
“Lidhur me hapat që do të ndjekim, fillimisht do të ulemi brenda koalicionit për t’i diskutuar, e më pas do të ulemi të diskutojmë edhe me partitë opozitare. Do të jemi përsëri të përkushtuar dhe të angazhuar për të gjetur zgjidhje. Kur një palë hyn në negociata, hyn me vullnetin për të gjetur një zgjidhje, të cilën nuk mund ta paragjykoj sot. Deklaratat në media shpesh sugjerojnë një ndryshim që, fatkeqësisht, kemi parë të ngjashëm edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit. Ne jemi të interesuar të diskutojmë me partnerët tanë potencialë pa bërë deklarata paraprake në media. Rendi kërkon të diskutohet direkt me palët, në vend që t’u dërgohen mesazhe përmes medias, dhe ne këtë rend do ta respektojmë duke u angazhuar me seriozitet maksimal,” theksoi Gërvalla.
Gërvalla theksoi se opozita nuk duhet të vendosë kushte para fillimit të negociatave.
“Opozita do të bënte mirë të mos vendoste kushte, pasi vendosja e kushteve dhe kushtëzimet janë një pengesë e madhe për fillimin e negociatave. Mendoj se qytetari i Republikës së Kosovës është ai që vendos, jo unë, as opozita apo kushdo tjetër. Qytetari e ka shprehur vullnetin e vet dhe ne, si politikanë të përgjegjshëm të vendit tonë, duhet të ulemi e të diskutojmë për rrugët më të mira. Pasi të kemi diskutuar, natyrisht që do ta informojmë edhe publikun, por hapat e parë merren në fillim, ndërsa hapat informues më vonë,” përfundoi Gërvalla.
Duke folur për çështjet energjetike dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, Gërvalla bëri të ditur se Qeveria po diskuton tema të ndryshme të sigurisë, duke përfshirë çështjen e gazit amerikan.
“Ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit, por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë pesë viteve të fundit kemi treguar se me shumë përgjegjësi dhe seriozitet jo vetëm diskutojmë, por edhe marrim vendime bazuar në interesin e Republikës së Kosovës,” theksoi ajo.
