**Rritet tarifa e anëtarësimit në Odën e Infermierëve, infermierët shprehin pakënaqësi**
**Prishtinë** – Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) ka vendosur të rrisë ndjeshëm tarifën e anëtarësimit mujor, duke shkaktuar pakënaqësi të theksuar në mesin e infermierëve. Nga muaji mars, pagesa e anëtarësisë është rritur nga 0.83 euro në rreth 3.50 euro në muaj për pjesën më të madhe të anëtarëve, ndonëse detajet zyrtare të OIK-ut ofrojnë një ndarje të diferencuar tarifash.
Ky vendim obligon të gjithë infermierët, pavarësisht statusit të tyre të punësimit, të paguajnë tarifën e re mujore për të ruajtur anëtarësinë dhe të drejtat profesionale.
Një infermiere, e cila ka folur për shqetësimin e saj, theksoi se rritja nga 0.83 euro në 3.50 euro është e papërballueshme. “Çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur vazhdimisht, ndërsa pagat tona nuk po e ndjekin këtë ritëm. Kjo rritje është krejtësisht e padrejtë”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, Oda e Infermierëve ka paralajmëruar se moskryerja e pagesës së anëtarësisë për një periudhë prej gjashtë muajsh sjell pasoja të rënda. Mospërmbushja e këtij obligimi rezulton me përfundimin e anëtarësisë, fshirjen nga Regjistri i Anëtarëve dhe humbjen e të gjitha të drejtave që dalin nga anëtarësia, përfshirë edhe të drejtën për licencë profesionale. Gjithashtu, në rast të ri-anëtarësimit, anëtari obligohet të paguajë dyfishin e tarifës së regjistrimit. Anëtarët jopagues nuk do të mund të përfitojnë nga shërbimet dhe përfitimet që ofron oda, si mbrojtja ligjore, sigurimi jetësor dhe shëndetësor, Edukimi i Vazhdueshëm Profesional (EVP), si dhe programe të tjera për anëtarët aktivë.
Në një përgjigje për Indeksonline, OIK theksoi se ndryshimi i tarifave është bërë në bazë të vendimit të Kuvendit të OIK-ut, organit më të lartë vendimmarrës. Sipas OIK-ut, tarifat e reja sigurojnë mbulim më të mirë të shërbimeve për anëtarët, përfshirë sigurimin jetësor dhe ofrimin e mbështetjes ligjore përmes shërbimeve të avokatit.
Oda ka sqaruar detajet e tarifave, duke theksuar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare lidhur me ndryshimin e tyre. Sipas Vendimit të Kuvendit të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të Tjerë Shëndetësorë të Kosovës, mënyra e re e pagesës së anëtarësisë është si vijon:
* Anëtarët e punësuar në sektorin publik paguajnë anëtarësinë në shumën prej 0.5% të pagës bruto përmes sistemit Payroll.
* Anëtarët e papunë dhe të punësuarit në sektorin privat paguajnë 3 euro në muaj.
* Anëtarët me status pensionisti paguajnë 2 euro në muaj.
Për këto kategori, pagesa realizohet në bazë vjetore me parapagim.
