FC Dinamo Ferizaj zyrtarizon ardhjen e Mexhit Nezirit
FC Dinamo Ferizaj ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit me përvojë, Mexhit Neziri. Lojtari ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin, e cila do të jetë në fuqi deri në vitin 2028.
Neziri i bashkohet Dinamo Ferizajt pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme, si në futbollin vendor, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Ai ka qenë pjesë e klubeve të njohura si Shkëndija Tetovë, Dacia, Renova, Ventspils, Struga, Besa Dobri Dol dhe së fundmi FC Ferizaj.
Gjatë karrierës së tij, Neziri ka fituar katër tituj kampioni në Superligën e Maqedonisë: dy me Shkëndijën (sezonet 2010/11 dhe 2020/21) dhe dy me Strugën (sezonet 2022/23 dhe 2023/24). Përveç kësaj, ai ka triumfuar edhe në Kupën e Maqedonisë me Shkëndijën në vitin 2011.
Në njoftimin e klubit theksohet se: “Me afrimin e Mexhit Nezirit, FC Dinamo Ferizaj shton në radhët e veta një futbollist me përvojë, cilësi dhe mentalitet fitues, i cili pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e objektivave sportive të klubit.”
