**Hapet thirrja për ofrues dhe programe trajnimi për mësuesit dhe stafin arsimor**
Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve (KShLM) ka shpallur një thirrje publike për aplikime nga ofrues dhe programe trajnimi. Kjo iniciativë synon zhvillimin profesional të mësuesve dhe punonjësve të tjerë arsimorë. Thirrja bazohet në Udhëzimin Administrativ 12/2023 për kriteret dhe procedurat e aprovimit të programeve për zhvillimin profesional, si dhe në Kornizën Strategjike për Zhvillimin e Mësimdhënësve në Kosovë.
Të drejtë aplikimi kanë të gjitha subjektet juridike, qoftë të regjistruara në Republikën e Kosovës apo në vende të tjera, të cilat ofrojnë programe për zhvillimin profesional të stafit arsimor.
Sipas njoftimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), inkurajohen aplikimet me programe që lidhen me fushat prioritare si: edukimi në fëmijërinë e hershme; mësimdhënia dhe nxënia; menaxhimi dhe sigurimi i cilësisë në institucionet arsimore; vlerësimi i nxënësve; gjithëpërfshirja në institucionet arsimore; arsimi dhe aftësimi profesional, përfshirë arsimin e të rriturve; si dhe zhvillimi i kompetencës digjitale.
Afati për aplikim është nga data 18 qershor deri më 17 korrik 2026.
